Spenden
Qendra Islame Shqiptare Stuttgart

70 Porosi të Muhammedit a.s.

Të dashur lexues!

Porositë e Pejgamberit a.s. duhet lexuar me vëmendje sepse ai ka qenë shumë i kujdesshëm për ne bile më i kujdesshëm se ne për vetveten tonë. Këtë na e dëshmon All-llahu në Kur’an ku thotë:

„Pejgamberi është më i ndieshëm ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetë vetvetes së tyre“ (Ahzab, 6)

Mu për atë, ai që e respekton të Dërguarin e All-llahut e ka respektuar All-llahun, dhe ai që i zbaton porositë e tij ka shpëtuar vetveten.
Për të qenë kjo çështje më e qartë do të përmendim ajetin Kur’anor ku All-llahu urdhëron që besimtari për ç’do çështje të jetës së tij duhet të konsultojë librin e All-llahut (Kur’anin) dhe të Dërguarin e Tij Muhammedin a.s. edhe pse Muhammedi a.s. nuk është në mesin tonë, por ai na ka lënë hadithet dhe porosity e tij trashegim që na sqarojnë dhe na ndriqojnë rrugën ton për të arritur shpëtimin dhe rrugën e drejtë dhe atë që dëshirojmë. All-llahu në Kur’anin fisnik thotë:

„Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë“. (Nisa, 59)

Porositë dhe gjykimin e Pejgamberit a.s. duhet pranuar me bindje dhe zemërgjërësi, duke marrë mësim nga Kur’ani fisnik.
Shih se ç’thot All-llahu për këtë në Kur’an:

„Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht“. (Nisa, 65)

Porositë e Pejgamberit a.s. duhet respektuar sepse ato nuk janë porosi të njeriut të rëndomtë, por ato janë porosi të njeriut të frymëzuar nga All-llahu Fuqiplotë.

Porosia 1

Pejgamberi a.s na bënë me dije se njeriu gjithmonë është nën kontrollin e All-llahut Fuqiplotë andaj ai nuk duhet të bëjë keq
Prej Ebu Derdasë r.a. transmentohet se Pejgamberi alejhis-selam i ka thënë:
Puno për All-llahun sikur ti e sheh Atë,numeroje veten në radhët e të vdekurve ,kij kujdes, mbrohu nga lutja e të demtuarit sepse kur i dëmtuari i lutet All-llahut kundër teje, lutjet e tij ngrehen tek All-llahu sikur flaka e zjarrit.
Transmeton Ibni Asakir prej ibni Derdasë.

Porosia 2

Nga kjo porosi besimtari kupton se zullumqarin duhet penguar nga zullumi.
Prej Enesit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:

Ndihmo vellaun tënd kur ai ben dëm, ose kur i behet dëm. Një njeri tha: O i dërguar i All-llahut, do t’i ndihmoj kur i bëhet dëm, por si t’i ndihmoj kur ai bën dëm. Pejgamberi a.s. tha: Do t’a pengosh nga të bërit dëm (tjerëve), atëherë e ke ndihmuar dhe ajo është ndihma jote ndaj tij.
Transmeton Buhariu.

Porosia 3

Pejgamberi a.s. me këtë porosi na tërheq vëmendjen që të jemi të kujdesshëm e mos të na mashtrojë dunjaja.
Prej Ebu Seid El-Hudrit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:

Dunjaja është e ëmbël dhe e gjelbër. Në të vërtetë All-llahu juve ju ka bërë mëkëmbës në të, Ai ju përcjell, ju sheh se si punoni.
Andaj keni frikë dunjanë dhe frigohuni nga kurtha e grave sepse sprovimi i parë i Beni israilëve ka qenë prej grave.
Transmeton Muslimi.

Porosia 4

Me këtë porosi Pejgamberi a.s na bën me dije se çdonjëri që kërkon në emër të All-llahut mos ta refuzojmë.
Prej Ibni Omerit r.a transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:

Kur dikush kërkon ndihmë në emër të All-llahut atë ndihmoje, kur lyp diqka në emer te All-llahut atij jepni, kush ju fton përgjigjuni ftesës së tij,
Kush ju bën ndonjë të mirë kompenzoni atij.
Po që se s’keni me çka të kompenzoni atëherë lutuni për të, ngase lutja do të konsiderohet kompenzim.
Transmeton Ebu Davudi dhe Nisaiu me sened të vërtetë.

Porosia 5

Pejgamberi a.s. me këtë porosi na bënë me dije se për namaz duhet ecur qetë e jo duke vrapuar.
Prej Ebu Hurejres r.a transmetohet se ka thënë:

Kam dëgjuar Pejgamberin a.s duke thënë: Kur jeni nisur për në namaz e të tjerët kanë filluar, ju mos vraponi, por ecni qetë. Çka të arrini, falni e ato rekate që u kanë kaluar plotësoni.
muttefekun alejhi.

Porosia 6

Pejgamberi a.s. me këtë porosi na bënë me dije që të kemi kujdes për plotësimin dhe drejtimin e safëve (rreshtave) gjatë namazit.
Prej Ibni Omerit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: (Para se të filloni namazin)

– Drejtoni radhët,
– Ngjitni supet me njëri tjetrin,
– Plotësoni vendin e lirë në saf,
– Lironi vend atij që don të hyjë në saf,
– Mos i leni vend shejtanit ndërmjet jush
– Kush e plotëson safin, All-llahu është me atë, e kush e këput safin All-llahu këput lidhjen me të.
Transmeton Ebu Davudi me sened të vërtetë.

Porosia 7

Nga kjo porosi mësojmë se sunnetet e rëndomta dhe namazet e tjera nafile duhet falë në shtëpi.

Prej Ebu Dher-rit transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:

O njerëz faluni në shtëpitë tuaja, ngase namazi në shtëpi është më i pranuar dhe më i vlefshëm përpos farzeve.(sepse farzet është më mirë të fallen në Xhami).
Transmeton Daremiu.

Porosia 8

Nga kjo porosi mësojmë se dita e xhuma është dita më e vlefshme për t’i dërguar salavat Pejgamberit a.s.
Prej Aus bin Ausit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:

Dita më e lavdëruar është dita e xhuma, andaj sa më shumë më çoni salavat ngase salavati juaj më paraqitet mua.
Transmeton Ebu Davudi me sened të vërtetë.

Porosia 9

Pejgamberi a.s. me këtë porosi na bënë me dije se besimtari më shum duhet të punojë se sa të bëjë pyetje e të polemizojë.
Prej Ebu Hurejres r.a. transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë:

– Nga gjërat që ju kam ndaluar largohuni,
– gjërat që ju kam porositur zbatoni sa të keni mundësi.
Ata që ishin para jush u bënë helaq (u zhdukën), sepse bënin shumë pyetje dhe kundërshtonin Pejgamberët e vet.
Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Porosia 10

Pejgamberi a.s. me këtë porosi na bënë me dije se besimtari gjithmonë duhet pasur frikë nga hidhërimi i All-llahut dhe të përpiqet të bëjë vepra të mira.
Prej Ebi Dher bin Xhenade dhe Muadh bin Xhebelit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:

– Frigohu prej All-llahut kudo që të jeshë,
– nëse bën ndonjë vepër të keqe, pas saj bëne një të mirë do t’a shlyesh atë (të keqen),
– dhe ndaj njerëzve sillu me sjellje të mirë.
Transmeton Tirmidhiu.

Porosia 11

Pejgamberi a.s. me këtë porosi përfshin disa vepra me të cilat besimtari meriton shpërblimin e All-llahut, Xhennetin.
Prej Ebi Hurejres r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:

– Ndani ushqimin (të varfërve)
– Përshëndetni njëri tjetrin me selam
– Mbani kontakte të mira me farefisin tuaj
– Falni namaz natën kur njerëzit flejnë
Do të hyni në Xhennet të sigurt duke mos u frikësuar dhe do t’ju përshëndesin Melekët me selam.
Transmeton Ahmed Ibni Habbani etj.

Porosia 12

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari duhet të jetë i kujdesshëm për emërtimin e fëmijës së vet.
Prej Ebi Derdasë r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Ditën e Gjykimit do të thirreni sipas emrit tuaj dhe të prindërve tuaj, andaj emërtoni fëmijët tuaj me emra të mirë.
Transmetojnë Ebu Davudi dhe Hibbani.

Porosia 13

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari duhet t’i ketë gjashtë veti të çmuara që të fitojë Xhennetin.
Prej Ajjad bin Samit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Më garantoni për gjashtë gjëra që t’ua garantoj Xhennetin.
– Kur të flitni, thoni të vërtetën.
– Kur të premtoni zbatojeni premtimin.
– Kur t’ju lihet diçka emanet, çone në vend.
– Ruani nderin tuaj (nga prostitucioni).
– Ruani sytë tuaj nga të shikuarit haram.
– Ruani duart tuaja (nga të bërit keq).
Transmeton Bejhakiu.

Porosia 14

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari duhet të jetë i ndershëm i sjellshëm dhe fisnik.
Prej Ebu Hurejres r.a transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:

– Kush beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit le ta nderojë mysafirin.
– Kush beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit le të mbajë lidhje të mira me farefisin e tij.
– Kush beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit le të thotë fjalë të dobishme ose le të heshtë.
Transmetojnë Abdullah bin Imam dhe Ahmedi në Zevaidin e tij me sened të mirë.

Porosia 15

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari duhet të jetë mirënjohës ndaj të mirave të All-llahut dhe të sillet mirë ndaj njerëzve.
Prej Ebu Dherit r.a. transmetohet se ka thënë:
Miku im (Pejgamberi a.s.) më ka porositur të mos i shikoj ata që janë më lartë se unë (me pasuri, pozitë, shëndet etj.), por t’i shikoj ata që janë më poshtë se unë.
Më ka porositur t’i dua të ngratët dhe të rrij me ta.
Më ka porositur të sillem mirë me të afërmit dhe t’i vizitoj ata, edhe nëse ata më kthejnë shpinën.
Më ka porositur që të them të vërtetën, po edhe nëse ajo është e hidhur.
Po ashtu më ka porositur që sa më shumë të them:
LA HAULE VE LA KUVVETE IL-LA BIL-LAH, sepse ajo është një arkë me gjëra të çmuara nga arkat e Xhennetit.
Transmetojnë Taberaniu dhe Ibni Hibbani në Sahihun e tij.

Porosia 16

Pejgamberi a.s. na mëson që adhurimin tonë t’ia kushtojmë vetëm All-llahut të lartmadhëruar.
Prej Abdullah bin Omerit dhe Abdullah bin Asit r.a. transmetohet se Muadh bin Xhebeli kur ka dashur të udhëtojë i ka thënë Pejgamberit a.s.
O i Dërguar i All-llahut, më këshillo.
Pejgamberi a.s. ka thënë:
– Adhuro All-llahun e mos i shoqëro Atij asgjë. Muadhi tha: O i Dërguar i All-llahut, më këshillo. Pejgamberi a.s.tha:
– Kur të bësh ndonjë mëkat, menjë-herë bën një vepër të mirë. Ai tha: O i Dërguar i All-llahut, më këshillo edhe më. Pejgamberi a.s.tha:
– Bëhu i qëndrueshëm në të drejtë dhe ki sjellje të mirë.
Transmeton Ibni Hibbani në Sahihun e tij. Po ashtu Hakimi, i cili thotë se isnadi i hadithit është i vërtetë.

Porosia 17

Nga kjo porosi mësojmë se pajtimi mes njerëzve është një vepër e vlefshme.
Prej Enesit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. Ebi Ejjubit i ka thënë:
A dëshiron të lajmëroj për një tregti që me të do të shpëtosh nga dënimi e do të meritosh kënaqësinë dhe shpërblimin e All-llahut? Ai tha: Po (Pejgamberi a.s. tha): Pajtoi njerëzit kur ata mes vete hidhërohen dhe afroi kur ata largohen.
Transmeton Taberaniu.

Porosia 18

Nga kjo porosi mësojmë se dhikri (të përmendurit All-llahun), qetëson zemrën dhe shpirtin e muslimanit.
Prej Ibni Omerit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Përpos dhikrit mos folni shumë, sepse të folurit shumë, ashpërson zemrën. Njerëzit më largë All-llahut janë ata që kanë zemër të ashpër.
(Zemër e ashpër është ajo, në të cilën nuk ndikon këshilla, Kur’ani e as ndodhitë të cilat zbusin zemrën e njeriut).
Transmetojnë Tirmidhiu dhe Bejhekiu.

Porosia 19

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari gjithmonë duhet të jetë i drejtë.
Prej ibni Mes’udit r,a transmetohet se Pejgamberi a,s ka thënë:
Keni kujdes që gjithmonë të jeni të drejtë, sepse e drejta qon drejtë mirësisë, mirësia qon në Xhenet,dikush prej njerëzve vazhdon duke folur dhe punuar drejt deri sa të shkruhet tek All-llahu i drejtë, po ashtu keni kujdes që t’i shmangeni gënjeshtrës, sepse gënjeshtra çon në punë të ndyra, e ato çojnë në zjarr.
Njeriu vazhdon të gënjej derisa të shkruhet tek All-llahu gënjeshtar.
Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

Porosia 20

Nga kjo porosi mësojmë se hixhreti (shpërngulja më e mirë është largimi nga gjunahet).
Prej Ummi Enesit r.a transmetohet se ajo i ka thënë Pejgamberit a.s;
O i Dërguar i All-llahut, më këshillo. Pejgamberi a.s tha;
Largohu prej gjunaheve, do të bësh shpërnguljen më të mirë.
Zbato farzet, sepse ato janë xhihadi më i vlefshëm, përmende
All-llahun gjithmonë, sepse ti nuk mund të bësh ndonjë punë më të dashur tek All-llahu, përpos të përmendurit e Tij sa më shumë.
Transmeton Taberaniu me sened të mirë.

Porosia 21

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari gjithmonë duhet nxituar drejt punëve të mira para se të bëhet vonë.
Prej Ebu Hurejres r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Nxitoni në punë (të mira) para se të ndodhë ndonjëra nga shtatë gjërat e vështira:
– Vallë, a mos pritni varfërinë e t’ju shtyjë të harroni (punët e ahiretit)
– apo pasurinë e cila ju shtynë të azdiseni e të bëheni zullumqar,
– apo ndonjë sëmundje që t’ju shkatërrojë shëndetin tuaj,
– pleqërinë e cila ju humb (fuqinë),
– apo vdekjen që ju rri në pritje,
– apo Dexhallin, më e keqja që mund të ndodhë,
– ose, vallë, mos po pritni Ditën e Kijametit, e cila është më e vështirë dhe më e hidhur.
Transmeton Tirmidhiu.

Porosia 22

Pejgamberi a.s. me këtë porosi na tërheq vëmendjen që të nxitojmë drejt punëve të mira që të shpëtojmë nga telashet që mund të na godasin.
Prej Ebu Hurejres r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Nxitoni në punë të mira para se të ndodhin trazira, që do të jenë sikur errësira e mesnatës, dikush do të zgjohet në mëngjes mu’min (besimtar), ndërsa në mbrëmje mbetet pa iman, do ta shet fenë e vet për ndonjë interes tëkësaj bote
Transmeton Muslimi.

Porosia 23

Nga kjo porosi mësojmë se të larit e xhenazes përkujton ahiretin.
Prej Ebu Dherrit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:`
Unë ty të këshilloj me një këshillë, nëse ti e mban në mend (dhe vepron me të) shpresohet të keshë dobi prej saj.
– Vizitoi varrezat se ato të përkujtojnë ahiretin,
– laj të vdekurin sepse të parit e trupit të vdekur (të shtangur) dhe larja e tij është një këshillë, mësim i madh,
– fale namazin e të vdekurve, se ndoshta me të zbutet zemra dhe pikëllohet, kurse i pikëlluari është nën mëshirën e All-llahut,
– qendro afër të ngratëve, ulu me ta dhe kudo që t’i takosh përshëndeti me selam.
– Rri me ata dhe ushqehu bashkë me njerëzit e sprovuar, nëse don të jeshë modest ndaj All-llahut
– Vesh rrobe të trasha, të ashpra që të mos depërtojë tek ti mendjemadhësia dhe vetmashtrimi.
– Po ndonjëherë, zbukurohu kur të adhurosh Zotin tënd, për të qenë i bukur dhe i pastër gjatë ibadetit, e jo për krekosje para njerëzve.
Transmeton Ibni Maxhe.

Porosia 24

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari duhet të japë nga pasuria e tij kur ai është i nevojshëm për të.
Prej Xhundub bin Xhenadeh r.a. transmetohet se ai e ka pyetur Pejgamberin a.s.:
O i Dërguar i All-llahut, cila sadaka (lëmoshë) është më e vlefshme? Ai u përgjigj: Ajo të cilën e jep njeriu kur ai vet ka nëvojë, e ia jep të varfërit fshehurazi.
Transmeton Darimiu.

Porosia 25

Nga kjo porosi mësojmë se të kërkuarit dituri, mësimi dhe studimi janë më të vlefshme se sa falja e namazit nafile.
Prej Ebu Dherrit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. i ka thënë:
O Ebu Dherr, të mësosh një ajet nga libri i All-llahut (Kur’ani) është më e dobishme se sa të falësh njëqind rekate (nafile namaz).
Të përpiqesh që të përfitosh diç nga dituria do të ishte më mirë se sa të falish njëmijë rekate (nafile).
Transmeton Ibni Maxhe.

Porosia 26

Nga kjo porosi mësojmë se në dhikrin e All-llahut ka shpërblim poashtu në heshtje nga fjalët e këqija ka shpëtim.
Prej Ebu Dherrit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. i ka thënë:
Të këshilloj: të ruhesh nga hidhërimi i All-llahut, nëse don të jesh i shpëtuar? Lexo Kur’an, bën dhikër, (përmende All-llahun) sa më shumë do të përmendesh lart në qiej, dhe do të kesh dritë në tokë.
Po ashtu të porosis që mos të flasish shumë, përpos kur fjala është e dobishme, përndryshe vazhdo në heshtje, sepse ajo dëbon djallin dhe të ndihmon në punët e fesë.
Transmeton Bejhekiu.

Porosia 27

Nga kjo porosi mësojmë se kur jemi rehat e mirë nuk duhet harruar All-llahun por gjithmonë Atë duhet lutur.
Prej Ebi Derdasë r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. atij i ka thënë:
Lutju All-llahut dhe adhuro atë kur je në rehati, nëse dëshiron që Ai të të përgjigjet kur do të jesh në vështirësi
Transmeton Hakimi në „Mustedrek“ prej Ebi Derdasë.

Porosia 28

Pejgamberi a.s. me këtë porosi na mëson që gjithmon të jemi të pregatitur, të aftë dhe të qëndrueshëm.
Prej Ebu Hurejres r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek All-llahu se i dobti, por çdonjëri është i dobishëm.
Shpejto në atë që ke dobi,
kërko ndihmë prej All-llahut dhe mos u bën i pa aftë (mos u dorëzo).
Nëse të godet diç (e pa dëshirueshme), mos thuaj: sikur ta kisha bërë këtë e këtë do të ishte kështu e kështu, ngase thënia sikur ( ta bëja këtë.) hap derën e shejtanit.
Transmeton Muslimi.

Porosia 29

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari gjithmonë duhet të jetë i pastër, i disponuar dhe duhet t’i shmanget shpifjes së vëllezërve të vet.
Abdullah bin Mes’udi r.a. thotë:
Më ka këshilluar Pejgamberi a.s. dhe më ka thënë: O Abdulla, kur të jesh duke agjëruar parfumosu,
bëhu i disponuar, mos u trego i hidhëruar, i mërrolur, përgjigju ftesës së muslimanëve se atë e ke obligim, përpos nëse ke arsye nuk mban përgjegjësi.
Falja namazin e xhenazes atij që vdes prej miletit tonë (muslimanëve), po edhe sikur të jetë mëkatar i madh.
O Abdullah sikur t’i shkosh All-llahut me mëkate të mëdha sikur kodra, do ta kesh më lehtë sesa të shpifësh, të dëshmosh rrejshëm kundër ndonjë besimtari.
Transmeton Taberaniu.

Porosia 30

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari nuk duhet harruar ahiretin, po ashtu nuk duhet t’i nënçmojë të tjerët.
Prej Ebu Bekrit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. i ka thënë:
O Ebu Bekër, kur të shohish njerëzit duke bërë gara pas dunjasë, ti kërko ahiretin dhe përmende All-llahun pranë çdo guri dhe druri, All-llahu do të përmend ty kur do ta përmendish Atë,
mos nënçmo askend prej muslimanëve sepse atë musliman që ju e shihni (konsideroni) pa vlerë, ai tek All-llahu mund të jetë i vlefshëm.
Transmeton Dejlemiu prej Aliut.

Porosia 31

Nga kjo porosi mësojmë se Pejgamberi a.s ka qenë i kujdesshëm për t’i mësuar besimtarët.
Prej Ebu Bekrit r.a. transmetohet se ka thënë:
Më ka urdhëruar Pejgamberi a.s. që çdo mëngjes dhe mbrëmje, po edhe para se të flejë të them: ALL-LLAHUMME FATIRIS-SEMA-VATI VEL ERD ALIMUL GAJBI VESH-SHEHADE.
O Zoti im, (Ti je) krijues i qiejve dhe tokës, Ti e din të fshehtën dhe të dukshmen.
Transmeton Bejhekiu.

Porosia 32

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari duhet të dojë për të tjerët atë që don për vete dhe të jetë i kënaqur me atë që All-llahu i ka dhuruar.
Prej Ebi Derdasë r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. i ka thënë:
O Ebi Derda, me fqiun sillu mirë nëse don të jeshë besimtar,
dëshiro për njerëzit atë që dëshiron për vete do të jeshë i shpëtuar,
kënaqu me atë që All-llahu ka caktuar për ty dhe do të jesh njeriu më i pasur.
Transmeton Haraiti prej Ebi Derdasë.

Porosia 33

Nga kjo porosi kuptojmë se Pejgamberi a.s gjithmonë na ka mësuar se ku mund ta gjejmë shpëtimin dhe nga cilat punë duhet të shmangemi.
Prej Ebu Hurejres r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. i ka thënë:
A ka kush i merr prej meje disa fjalë, (mësime) i zbaton dhe ua mëson të tjerëve?
Unë thashë: Unë o i Dërguar i All-llahut, (ai) më mori për dore, numëroi pesë dhe tha:
O Ebu Hurejre, ik nga të ndaluarat do të jesh personi që më së miri ke adhuruar All-llahun.
Kënaqu me atë që All-llahu ka caktuar për ty, do të jeshë më i pasuri ndër njerëzit.
Sillu mirë me fqiun, të jeshë besimtar,
duaje për njerëzit atë që don për vete që të jeshë i shpëtuar,
mos qesh shumë se të qeshurit shumë ta mbyt zemrën.
Transmeton Tirmidhiu.

Porosia 34

Nga kjo porosi mësojmë se duhet të jemi të kujdesshëm për kohen e namazeve, për prindërit dhe të luftojmë në rrugë të All-llahut
Prej Abdullah bin Mes’udit r.a. transmetohet, se ka thënë:
E kam pyetur Pejgamberin a.s. se cila punë është më e mirë? Pejgamberi a.s. tha:
Namazi në kohën e vet,
rrespekti ndaj prindërve dhe
lufta në rrugën e All-llahut
Transmeton Seid bin Mensur në Sunenin e tij.

Porosia 35

Pejgamberi a.s. në këtë porosi ka cekur njëzet e tre pika të cilat janë të nevojshme për çdo besimtarë.
Transmetohet prej Muadh bin Xhebelit r.a. se ka thënë:
Më mori Pejgamberi a.s. për dore dhe më tha:
O Muadh të këshilloj të kesh frikë All-llahun,
të thuash të vërtetën,
të zbatosh premtimin,
të çojsh në vend emanetin,
mos tradhtosh,
të mëshirosh jetimin,
të mbrohesh prej hakut të fqiut,
të fshehish hidhërimin,
të flasish me urtësi,
t’i përshëndetësh të tjerët me selam,
të rrespektosh udhëheqësin (e drejtë),
kupto Kur’anin,
duaje ahiretin,
frikësohu prej llogarisë,
pak shpreso,
puno shumë (punë të mira),
kursesi mos të fyesh ndonjë musliman,
mos beso gënjeshtarin,
mos shpall të drejtin gënjeshtar,
mos kundërshto imamin e drejtë,
mos shkakto trazira në sipërfaqen e tokës.
O Muadh: përmende All-llahun pranë çdo guri dhe druri,
pendohu për çdo mëkat,
për të fshehurin fshehurazi e për të dukshmin haptazi.
Transmeton Bejhekiu.

Porosia 36

Kjo porosi sihariqon thirrësit në rrugë të All-llahut.
Prej Muadhit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
O Muadh: Po të bëhesh ti shkaktar e të u dhëzohet (në Islam) një njeri prej mosbesimtarëve, do të jetë më e dobishme për ty sesa të kesh ca deve të kuqe.
Transmeton imam Ahmedi.

Porosia 37

Me këtë porosi Pejgamberi a.s na mëson se si të shprehim nënshtrimin tonë të plotë ndaj All-llahut Fuqiplotë.
Prej Ebij Amarete bin Azib r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Kur të biesh në shtrat thuaj:
ALLAHUMME ESLEMTU NEFSIJ ILEJKE, VE VEXHEHTU VEXHHI ILEJKE,VE FEVEVTU EMRIJ ILEJKE, VE ELXHE’TU DHAHRI ILEJKE, RAGBETENVE REHBETEN ILEJKE, LA MELXHEE VELA MENXHEE MINKE IL-LA ILEJKE, AMENTU BI KITABIKEL-LEDHII ENZELTEH VE BI NEBIJJIKE EL-LEDHI ERSELTE.
„O Zoti im, shpirtin tim Ty ta dorëzoj, kah Ti kthehem, Ty të mbështetem, Ty të frikohem dhe në Ty shpresoj, s’ka shpëtim dhe strehim përveç se te Ti. I besoj librit Tënd (Kur’anit) që e zbrite, dhe Pejgamberit që Ti e dërgove“.
O Ebi Ammare nëse ti vdes gjatë kësaj nate, vdes me iman (besim)të vërtetë, e nëse zgjohesh, zgjohesh me të mira.
Muttefekun alejh.

Porosia 38

Pejgamberi a.s. me këtë porosi na tërheq vërejtjen që t’iu shmangemi shtatë mëkateve të cilat janë shumë të dëmshme për besimtarin.
Prej Ebu Hurejres r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Ruhuni nga shtatë mëkatet të cilat ju çojnë në zhdukje, (shokët e tij) thanë:
E cilat janë ato o i Dërguar i All-llahut ?
Pejgamberi a.s. tha:
Të bërit rival, ortak All-llahut,
sihri (magjia)
mbytja e njeriut të cilin akt All-llahu e ka ndaluar, përpos nëse ajo bëhet me të drejtë ,
ngrënia e kamatës,
ngrënia e pasurisë së jetimit,
të ikurit nga fronti i luftës dhe
shpifja ndaj femrës së ndershme muslimane.
Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Porosia 39

Kjo porosi na bën të kuptojmë se besimtari nuk duhet të flejë para se të dëshmon njësimin e All-llahut dhe të kërkojë nga Ai që ta mbrojë nga sherri i njerëzve dhe i xhinëve.
Prej Ukbe bin Amirit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
O Ukbe bin Amir a dëshiron që t’i mësoj ty tre sure (kaptna) të cilat kanë qenë të zbritura në Tevrat, Inxhil, Zebur dhe në Kur’anin e Madhërishëm? Unë thashë (thotë Ukbe): Po, o i Dërguar i All-llahut. Pejgamberi a.s. m’i këndoi: KUL HUVALL-LLAHU EHAD, KUL EUDHU BI RABIL FELEK dhe KUL EUDHU BI RABIN-NAS. Pastaj tha:
O Ukbe mos i harro këto, dhe mos të fleshë asnjë natë para se t’i lexosh këto sure.
Ukbe thotë: Unë kurrë s’i kam harruar dhe kurrë s’kam fjetur para se t’i këndoj këto sure.
Transmeton imam Ahmedi.

Porosia 40

Nga kjo porosi mësojmë se namazin duhet ta falim me kujdes të veçantë, të ruhemi nga të folurit keq dhe të jemi të kënaqur me atë që All-llahu ka caktuar për ne.
Prej Ebi Ejub El-Ensariut r.a. transmetohet e ky Pejgamberit a.s. i ka thënë:
O i dërguar i All-llahut, më këshillo:
Pejgamberi a.s. ka thënë:
Kur të falish namaz fale sikur atë e ke namazin e fundit, (sikur pas atij namazi do të vdesish),
mos fol fjalë që pastaj të detyrohesh të kërkosh falje për të dhe
assesi mos lakmo në atë që e kanë të tjerët.
Transmeton imam Ahmedi në Musnedin e tij.

Porosia 41

Kjo porosi na bën me dije se muslimani për çdo çështje të jetës së tij duhet të orientohet te mësimet e Pejgamberit a.s. dhe se aty e gjen çelsin e problemit të vet.
Prej Aliut r.a. transmetohet se i ka thënë Pejgamberit a.s.:
O i Dërguar i All-llahut: Kur’ani ik prej gjoksit tim (zemrës) , assesi s’e mbaj mend. Pejgamberi a.s. tha: O baba i Hasanit , a dëshiron që ty t’i mësoj disa fjalë (lutje) që prej tyre do të kesh dobi ti dhe ai që ti do t’ia mësosh dhe me atë do të mbash mend gjithçka dhe kurrë nuk do t’i harrosh?
Ali tha: Po, o i Dërguar i All-llahut.
Pejgamberi a.s. tha: Kur të vijë nata e xhuma nëse mundesh të zgjohesh në pjesën e tretë të natës, zgjohu se ai moment është i dëshmuar, melekët janë present dhe lutja pranohet.
Po që se nuk mund të zgjohesh në pjesën e tretë, atëherë në mesnatë, po që se nuk mundesh atëherë para se të fleshë fal katër rekate namaz. Lexo në të parin Fatihanë dhe suren Jasin, në të dytin Fatihanë dhe suren El-Duhan, në të tretin Fatihanë dhe suren Sexhde, ndërsa në të katërtin Fatihanë dhe suren El-Mulk. Pasi të lexosh et-tehijatin, shehadetin dhe salavatet thuaj: ALL-LLAHUMMEGFIR LIL MU’MINIINE VEL MU’MINAAT, VEL MUSLIMINE VEL MUSLIMAAT EL AHJAI MINHUM VEL EMVAAT BI RAHME-TIKE JA ERHAMER-RAHIMIIN.
RABBENAGFIR LENA VE LI IHVANINA EL-LEDHINE SEBEKU-NA BIL IMAN.
ALL-LLAHUME ERHAMNI BI-TER-KIL MEASI EBEDEN MA EB-KAJTENI VERHAMNI EN ETEKEL-LEFU MA LA J’ANINI VERZUKNI HUSNEN-NERDHA-RI FIIMA JURDI-IKE ANNI.
ALL-LLAHUMME BEDIIUS-SE-MAVAATI VEL-ERD DHEL XHELALI VEL IKRAM VEL IZZETIL-LETI LA TURAM, ES’ELUKE JA ALL-LLAH JA RAHMAN BI XHELALIKE VE NURI VERXHHIKE EN TUNEVVIRE BIKITABIKE BESARI, VE EN TUTLIKA BIHI LISANIJ, VE EN TUFRIXHE BIHI AN KALBIJ, VE EN TESHREHA BIHI SADRIJ, VE EN TES-TA’MELE BIHI BEDENI, FE INNEHU LA JUINUNII ALEL HAKKI GAJREKE VE LA JU’TINIIHI IL-LA ENTE, VELA HAULE VELAKUVVETE IL-LA BIL-LAHIL ALIJIL ADHIM.
O Zot fail besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit, me mëshirën tënde o mëshirues i mëshiruesve.
O Zoti ynë, na fal neve dhe vëllezërit tonë besimtarë të cilët kanë kaluar para nesh.
O Zoti im, më mëshiro mua që t’iu shmangem mëkateve sa të jem gjallë, poashtu më mëshiro dhe mos lejo që të ngarkoj veten më punë që nuk më takojnë. Më mundëso që të veproj punë me të cilat Ti do të jesh i kënaqur ndaj meje. Zoti im, Ti je shpikës i qiejve dhe tokës, Ty të takon lartmadhëria, fisnikëria dhe fuqia. Ti s’ke rival.
O Zoti im i gjkithmëshirshëm, Ty të lus që për hirë të lartmadhërisë dhe nurit të fytyrës sate të më ndriçosh syt e mi me dritën e Kur’anit, të më lirosh me të gjuhën time, qetëso me të zemrën time, poashtu të lus tërë trupi im të veprojë sipas urdhërave të Kur’anit, sepse askush tjetër nuk mund të më ndihmojë në rrugë të drejtë pos teje, askush nuk mund të më japë këtë që kërkoj pos Teje.
O Zot i madhërishëm s’ka kush më ndihmon kah e mira as që më pengon nga e keçja pos Teje.
Pastaj Pejgamberi a.s. tha:
O Ebel Hasan, vepro kështu tre, pesë ose shtatë xhumaja, lutja inshAll-llah do të pranohet. Betohem në Atë që më dërgoi me të vërtetën. Besimtarit kjo lutje nuk i refuzohet.
Aliu thotë: Vall-llahi nuk kaluan pesë ose shtatë xhumaja Pejgamberi a.s. erdhi në të njejtin mexhlis (vend-ndeje), e unë thashë: O i Dërguar i All-llahut, unë më parë mësoja katër ajete, pastaj i harroja ndërsa tash mësoj dyzet ajete e më shumë, kur i lexoj sikur e kam Kur’anin para vetes. Më parë dëgjoja hadithe, kur doja t’i përsëris, veç i kisha harruar, kurse tash e dëgjoj hadithin dhe e përsëris, s’e harroj asnjë shkronjë. Pejgamberi a.s. tha : Betohem në Zotin e Qabes, se Ebul Hasani është besimtar.
Transmetojnë Tirmidhiu dhe Hakimi.

Porosia 42

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari duhet të ruhet nga zilia, spse zilaiqari është në Xhehennem para se të hyj në te.
Prej Ebu Hurejres r.a. transmetohet se Pejgamberit a.s. ka thënë:
Keni kujdes, ruhuni nga zilija, sepse zilija i djeg punët e mira (thevabet) ashtu siç i djeg zjarri drunjtë.
Transmetojnë Tirmidhiu.

Porosia 43

Nga kjo porosi kuptojmë se për besimtarin është më e dobishme të posedojë vyrtyte të larta se sa të posedojë pasuri të ndryshme.
Prej Aliut r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. atij ka thënë:
O Ali, mos lakmo kënaqësinë e askujt përpos kënaqësisë së All-llahut,
mos ki frikë tjetër kënd pos All-llahun,
kur pyetesh për diçka mos kurse të thuash nuk e di, All-llahu e din më së miri.
O Ali, cilën e dëshiron; të t’i jap ty pesëqind dele, ose të t’i mësoj pesë fjalë të cilat janë të vlefshme për dunja dhe ahiret.
(Aliu tha): O i Dërguar i All-llahut, m’i mëso pesë fjalë. Atëherë Pejgamberi a.s. tha:
Thuaj: All-llahumme-gfir lii dhenbi ve vesi’li huluki, ve tajjib li kesbi, ve kani’ni bima rrezakteni, vela tedhheb bi nefsi ila shej’in sarreftehu anni.
O Zoti im, fail mëkatet e mia, më dhuro moral të mirë, fitimin tim bëre të jetë i pastër, më bën që të më mjaftojë ajo që Ti më ke furnizuar, mos më bëj që të lakmoj atë që Ti nuk ma ke ofruar.
Transmeton Dejlemiu në Musnedin El-Firdeus.

Porosia 44

Kjo porosi na bën të ditur që besimtari të mos habitet pas dunjasë e të harrojë ahiretin.
Transmetohet prej Ebu Dherrit se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Mos grumbulloni atë që s’do ta hani,
mos ndërtoni atë që në të nuk banoni,
mos garoni në gjëra të cilat ju nesër do t’i leni,
keni frikë All-llahun tek i cili do të ktheheni, dhe para Tij do të qëndroni,
lakmoni atë, drejt cilës jeni duke shkuar dhe atë që ju në të gjithmonë do të qëndroni.
Transmeton Darimiu.

Porosia 45

Në këtë porosi Pejgamberi a.s. ka cekur njëmbëdhjetë pika dhe ato i ka filluar me porosinë që të kemi frikë All-llahun sepse ajo është çelsi i shpëtimit.
Transmetohet prej Ebu Dherrit r.a. i cili ka thënë: O i Dërguar i All-llahut më këshillo!
Pejgamberi a.s. tha: Frikësohu prej All-llahut sepse ajo është puna kryesore, (shtylla e fesë). I thashë: O i Dërguar i All-llahut, vazhdo! Pejgamberi a.s. tha:
Lexo Kur’anin dhe përmende All-llahun e Lartmadhëruar, sepse ajo është për ty dritë në tokë e pasuri në qiej. I thashë O Pejgamber i All-llahut, vazhdo, e ai më tyha:
Largohu nga të qeshurit shumë, se qeshja e tepruar e vdes zemrën dhe humb ndriqimin e fytyrës. Unë i thash: O Pejgamber më këshillo, dhe ai vazhdoi:
Të porosis të bësh xhihad, sepse ai është ibadeti më i çmuar i ummetit tim. Unë i thash: O Pejgamber më këshillo edhe më: Ai tha:
Duaji të ngratit dhe shoqërohu me ta.
Unë i thash: O Pejgamber më këshillo edh më: Ai tha:
Shiko ata që janë më të varfër, e mos i shiko ata që janë më të pasur se ti, që të mos harrosh, nënçmosh dhuntitë e All-llahut që t’i ka dhuruar. Unë thash: O Pejgamber më këshillo edhe më: Ai tha:
Thuaj të vërtetën po edhe qoftë e hidhur. Unë thash: më këshillo edhe më: Ai tha:
Kij kujdes nga mëkatet tua e mos angazho veten me të huajat.
Mos kritiko tjetër për punën të cilën ti vetë e bën. Mjafton për ty si mëkat, kur ti angazhohesh me gabimet e huaja e tuat i harron. Dhe kur i kritikon të tjerët për punën të cilën ti vetë e bën. Pastaj më vuri dorën në gjoks dhe më tha:
O Eba Dherr: Mençuria më e madhe është të dish të planifikosh për jetën dhe ekonominë tënde.
Devotshmëria më e madhe është të ruhesh nga haramet; ajo që të lartëson nderin familjar dhe të bën të ndershëm është sjellja e mirë.
Transmeton Darimiu.

Porosia 46

Nga kjo porosi mësojmë se udhëheqësin e drejtë duhet dëgjuar, duhet të jemi bëmirës dhe të kujdesemi për namazin.
Pej Ebu Dherrit r.a. tansmetohet se Pejgamberi a.s. atij i ka thënë:
Dëgjo dhe respekto udhëheqësin e (drejtë) po edhe sikur të jetë një rob me hundë të prerë .
Nëse bën një gjellë, qiti më shumë ujë, bëre më të hollë që t’u ndash prej saj edhe fqinjve të tu dhe
Fale namazin në kohën e vet.
Transmeton Tirmidhiu.

Porosia 47

Në këtë porosi është karakteristikë urdhëri që të pritet gjashtë ditë me qëllim që Ebu Dherri të jetë i kujdesshëm, ta përcjellë me vëmendje dhe mos të harrojë.
Transmetohet prej Eba Dherrit dhe Muadh bin Xhebelit r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Gjashtë ditë (prit), e pastaj mbaje mend se çka do të thuhet ty. Kur erdhi dita e shtatë Pejgamberi a.s. tha:
Të porosis të kesh frikë All-llahun në punët tua të fshehta dhe të dukshme.
Kur të gabosh, bëre një vepër të mirë, që të fshish të keqen e bërë dhe mos lyp prej askujt asgjë po edhe kur të bie thupra (prej dore) dhe mos merr emanet
Transmeton Ibni Maxhe.

Porosia 48

Kjo porosi i është dedikuar Pejgamberit a.s. nga All-llahu Fuqiplotë e Ai na e ka përcjellë edhe neve duke pasur parasysh që edhe net ë kemi dobi nga kjo porosi.
Pejgamberi a.s. ka thënë:
Zoti im më ka porositur nëntë gjëra e unë ju porosis edhe juve:
– Më ka porositur të jem i sinqertë në punët e fshehta dhe ato të dukshme,
– të jem i drejt kur të jem i disponuar dhe kur të jem i hidhëruar,
– të jem i matur (mos të hargjoj pa nevojë) kur të jem i pasur dhe kur të jem i varfër.
– T’ia fali hakun atij që më ka dëmtuar,
– t’i jap atij që më ka rrefuzuar, (s’më ka dhënë kur i kam kërkuar),
– ta vizitoj atë që më ka bojkotuar,
– heshtja ime të jetë mendim, studim,
– fjala ime të jetë dhikër,
-shikimi im të jetë mësim
Transmeton Ibni Maxhe.

Porosia 49

Me këtë porosi Pejgamberi a.s. na bën të ditur se njerëzit derisa e kanë një gjë nuk ia dinë vlerën, andaj na tërheq vëmendjen që të mirat e kësaj bote t’i shfrytëzojmë sepse ato nuk janë të përhershme.
Transmetohet prej Ibni Abbasit se Pejgamberi a.s. një njeriut i ka thënë: Shfrytëzoi pesë gjëra para pesë të tjerave:
– Rininë tënde para se të arrijë pleqëria.
– Shëndetin para se të arrijë sëmundja.
– Pasurinë para se të vijë varfëria.
– Kohën e lirë para se të zihesh me punë.
– Jetën tënde para se të vijë vdekja.
Transmeton Darimiu.

Porosia 50

Me këtë porosi Pejgamberi a.s. dëshiron që ne të jemi të qëndrueshëm në besimin tonë ndaj All-llahut Një dhe të mos iu afrohemi punëve të ndaluara nga All-llahu.
Prej Muadh bin Xhebelit transmetohet e ai thotë:
Më ka porositur Pejgamberi a.s. me dhjetë gjëra:
– Mos i bën shok All-llahut edhe sikur të vritesh ose të digjesh.
– Mos iu kundërvë prindërve po edhe nëse të urdhërojnë që të dalish nga familja dhe pasuria yte.
– Mos le qëllimisht namaz farz pa falë, se kush le namaz farz me qëllim, nuk është nën besën e All-llahut.
– Kursesi mos pi alkohol, se alkoholi është fillim i çdo mëkati.
– Ruaju nga mëkatet, se për shkak të mëkateve meriton hidhërimin e All-llahut.
– Mos ik nga fronti po edhe nëse vriten (zhduken) të tjerët.
– Nëse njerëzit i godet vdekja (në luftë) ti qëndro.
– Shpenzo për familjen tënde nga pasuria yte e fituar.
– Mos largo thuprrën prej tyre duke i edukuar dhe
– Frikësoi ata prej (hidhërimit të) All-llahut.
Transmeton Ibni Maxhe.

Porosia 51

Nga kjo porosi kuptojmë se punët që nuk bëhen me sinqeritet nuk ka dobi prej tyre po edhe nëse janë shumë.
Prej Ebi Dherrit r.a. transmetohet se ky Pejgamberit a.s. i ka thënë:
O i Dërguar i All-llahut me këshillo? Pejgamberi a.s. tha: O Eba Dherr: Bëri punët me sinqeritet për hir të All-llahut ato do të mjaftojnë po edhe nëse janë pak.
Transmeton Tirmidhiu.

Porosia 52

Nga kjo porosi kuptojmë se besimtari kur e don dikend duhet ta lajmëron se e don e kur e don e këshillon kah e mira.
Prej Muadhit r.a. transmetohet se ka thënë:
Më mori Pejgamberi për dore pastaj më tha: O Muadh, pasha All-llahun, unë ty të dua, andaj të këshilloj:
O Muadh, mos e le pa thënë pas çdo namazi: All-llahumme e’inni ala dhikrike ve shukrike ve husni ibadetike.
O Zoti im më ndihmo të të përmendi Ty dhe të të falenderoj, (po ashtu më ndihmo) që sa më mirë Ty të të adhuroj.
Transmetojnë Bezzari dhe Taberaniu.

Porosia 53

Kjo porosi na bën të qartë që adhurimi të bëhet me vëmendje dhe me sinqeritet, për ndryshe nuk vlen aspak.
Prej Muadhit r.a. transmetohet se ai Pejgamberit a.s. i ka thënë: O i Dërguar i All-llahut më këshillo?
Pejgamberi a.s. atij i ka thënë:
Adhuro All-llahun sikur ti Atë e sheh dhe numëroje veten me të vdekurit, po nëse don të të lajmëroj për atë që është më e vlefshme se gjithë punët e tjera, atëherë ruaje këtë (dhe bëri isharet me dorën e tij kah gjuha)
Transmeton Tirmidhiu.

Porosia 54

Nga kjo porosi mësojmë se njëri-tjetrin duhet ndihmuar për të mirë dhe raportet familjare duhet të mbahen me urtësi.
Prej Ebu Hurejres r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Këshilloni njëri tjetrin që të sillen mirë ndaj bashkëshorteve të tyre ngase gruaja është e krijuar prej brinjës më të shtrembëruar nga brinjtë e Ademit a.s. Nëse tenton atë ta drejtosh tërësisht, atëherë atë do ta thesh, ndërsa nëse e le e nuk e drejton dalngadal ajo shtrembërohet edhe më shumë, andaj këshilloni njëri tjetrin që të silleni mirë ndaj grave.
Ttransmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Porosia 55

Në këtë porosi Pejgamberi a.s. u përcaktua vetëm në xhihadin për të bërë të ditur se xhihadi për muslimanin është virtyt i pashoq. Ubadete bin Samit r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Luftoni në rrugë të All-llahut, sepse lufta në rrugën e All-llahut është dera e Xhennetit.
All-llahu i Lartëmadhëruar për hirë të xhihadit shpëton (njeriun) prej mërzisë dhe pikëllimit.
Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Porosia 56

Me këtë porosi Pejgamberi a.s. na bën me dije që të mbajmë lidhje të ngusht me All-llahun dhe me njëri tjetrin e sidomos i pasuri me të varfërin.
Xhabiri r.a. transmeton duke thënë:
Pejgamberi a.s. na mbajti një fjalim ku mes tjerash tha:
– O ju njerëz, pendohuni tek All-llahu para se të vdisni.
– Nxitoni kah punët e mira para se t’ju ndodh diçka që mund t’ju pengon nga ato.
– Me All-llahun mbani lidhje të ngushtë duke përmendur Atë sa më shumë, shpërndani sadaka (lëmoshë) sa më shumë fshehurazi dhe haptazi, sepse për hir të saj do të furnizoheni, do të ndihmoheni dhe do të jeni të fuqishëm.
Transmeton Bejhekiu.

Porosia 57

Nga kjo porosi kuptohet se besimtari duhet të përmbahet nga hidhërimi.
Prej Ebu Hurejres r.a. transmetohet se një njeri Pejgamberit a.s. i ka thënë:
O i Dërguar i All-llahut, më këshillo!
Pejgamberi a.s. tha: Mos u hidhëro. Ai përsëriti disa herë duke thënë më këshillo e Pejgamberi a.s. tha mos u hidhëro.
Transmeton Buhariu.

Porosia 58

Nga kjo porosi mësojmë se Pejgamberi a.s. ka qenë i kujdesshëm për rininë e ummetit të vet, andaj i ka porositur që të martohen, ndërsa në rast pamundësie për martesë u ka ofruar si masë preventive agjërimin.
Prej Abdullah bin Mes’udit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
O jut ë rinj, kush ka prej jush mundësi dhe kushte (për martesë) le të martohet, sepse martesa i ruan sytë nga të shikuarit në gjëra të ndaluara dhe e ruan nderin. E kush nuk ka mundësi (të martohet), le të agjërojë sepse agjërimi për të do të jetë mbrojtje.
Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Porosia 59

Nga kjo porosi besimtari mëson se lidhshmëria më e ngushtë duhet të jetë me All-llahun krijuesin e botërave.
Prej Abdullah bin Abbasit r.a. transmetohet se ka thënë:
Isha një ditë (duke ecur) pas Pejgamberit a.s., e ai më tha: O djalosh, unë do t’i mësoj ty disa fjalë: Ruaje All-llahun (d.m.th. zbatoi urdhërat e Tij, dhe largohu nga ndalimet e Tij) të ruan Ai ty (nga çdo e keqe), ruaje All-llahun nëse dëshiron ta kesh gjithmon pranë vetes.
Kur të lypish lyp prej All-llahut, kur të kërkosh ndihmë, kërko prej Tij. Dije se gjithë njerëzit sikur të tubohen që të bëjnë ty një të mirë nuk do të bëjnë përpos atë që All-llahu ka caktuar për ty, po nëse gjithë njerëzit tubohen, pajtohen që ty të të bëjnë një të keqe, nuk do të mund të bëjnë përpos asaj që All-llahu për ty ka caktuar.
Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletushkat. (don të thotë, se atë që All-llahu ka shkruar në kader, askush nuk mund ta ndryshojë).
Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i mirë dhe i vërtetë.

Porosia 60

Nga kjo porosi mësojmë se si të jemi zotërinj, krenar dhe të kemi kujdes kur të flasim të mos gabojmë.
Prej Ismail bin Muhamedit r.a. transmetohet se një njeri ka ardhur te Pejgamberi a.s. dhe i ka thënë:
O i Dërguar i All-llahut, më këshillo, Pejgamberi a.s. i tha:
– Mos lakmo atë që kanë të tjerët: nëse don të jeshë zotëri,
– mos u bën i pangopur, se ajo është varfëria e gatshme,
– fale namazin sikur atë e ke të fundit (e nuk do të falish tjetër pas tij, ndonëse mund të ndërrosh jetë),
– ke kujdes nga punët dhe fjalët për të cilat detyrohesh të kërkosh falje.
Transmetojnë Hakimi dhe Bejhekiu.

Porosia 61

Nga kjo porosi mësojmë se Pejgamberi a.s. ka qenë shumë i kujdesshëm për faljen e mëkateve tona, andaj na ka shpjeguar se si arrihet falja e mëkateve.
Ikrime r.a. transmeton prej Ibni Abbasit r.a. se Pejgamberi a.s. Abbasit i ka thënë:
O Abbas, o xhaxhai im a dëshiron që të mësoj, nëse ti vepron atë që të mësoj do të falen mëkatet. Ato të parat dhe të fundit, të hershmet dhe të tashmet, ato (që i ke bërë) pa qëllim dhe ato me qëllim, të voglat dhe të mëdhatë, të dukshmet dhe të padukshmet.
(Nëse dëshiron që të falen këto dhjetë lloje të mëkateve), atëherë fali katër rekate namaz, në çdo rekat lexo Fatihanë dhe një sure. Pasi t’i lexosh këto duke qëndruar në këmbë, thuaj 15 herë subhanall-llahi velhamdulil-lahi vela ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber, vela haule, vela kuvvete il-la bil-lahil alij-jil adhiim.
Pastaj shko në ruku dhe të njejtat fjaë i thua 10 herë (pas thënjës subhane rabijel adhim), pastaj ngrihu prej rukusë dhe thuaj atë 10 herë, pastaj shko në sexhde dhe pasi të thuash 3 herë subhane rabijel e’ala thuaj 10 herë, pastaj qohu prej sexhdes duke qëndruar ulur thuaj 10 herë, pastaj shko në sexhde dhe thuaj 10 herë, pasi të bëshë sexhden qëndro ulur dhe thuaj 10 herë, pastaj shko në rekatin e dytë dhe kështu vepro gjatë katër rekateve, kështu që ato bëhen 75 herë në një rekat.
O Abas nëse ke mundësi që këtë (namaz) ta falish për ç’do ditë-fale, e nëse jo, fale një herë në javë, e nëse jo, po që se nuk mund ta falish, atëherë fale për ç’do ditë, po nëse edhe atë nuk mund ta bësh, atëherë fale një herë gjatë jetës sate.
Transmetojnë En-Nesaiu, Ebu Davudi, Ibni Maxhe dhe Bejhekiu.

Porosia 62

Në këtë porosi Pejgamberi a.s. është shprehur në mënyrë alegorike ku me fjalë të shkurta na ka sugjeruar se si të përgatitemi për shpëtimin e vetes në këtë botë dhe tjetrën.
Prej Ebu Dherrit r.a. transmetohet se ka thënë:
Pejgamberi a.s më ka porositur me katër gjëra të cilat për mua janë më të dashura se dunjaja dhe gjithë çka ekziston në të. Ai më ka thënë:
O Eba Dherr, siguroje anijen se deti është i thellë ,
përgatitu për udhëtimin se rruga është e gjatë .
Lehtëso shpinën tënde se pragu është i lartë ,
punët bëri me sinqeritet, se Mbikqyrësi është i kujdesshëm dhe preciz .
Transmeton Imam El-Makdisi.

Porosia 63

Kjo porosi na bën të qartë se shokët e Pejgamberit a.s. për çdo çështje i janë drejtuar Pejgamberit a.s. sepse ai ka qenë mësues dhe udhëzuesi i tyre në çdo lëmi.
Transmetohet prej Othman bin Ebil As Eth-Thekafit r.a. e ai është ankuar te Pejgamberi a.s. nga një dhimbje në trup.
Pejgamberi a.s. i ka thënë: Vëre dorën aty ku të dhemb dhe thuaj: bismilahi 3 herë, pastaj thuaj 7 herë eudhubil-lahi ve kudretihi min sherri ma exhidu ve uhadhirru.
Kërkoj ndihmë prej All-llahut që me fuqinë e vet të më mbron dhe të më shpëton nga e keqja e sëmundjes që përjetoj dhe nga ajo që unë kam frikë që mund të më godas.
Transmeton Darimiu.

Porosia 64

Pejgamberit a.s. me këtë porosi na mëson se me cilin duhet të shoqërohemi dhe të kemi kujdes se cilin e pranojmë në shtëpinë tonë.
Ebi Seid El-Huderiu r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Mos shoqëro tjetër kënd përpos besimtarin,
dhe mos të hajë bukën tënde përpos ai që ka frikë All-llahun.
Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

Porosia 65

Me këtë porosi Pejgamberit a.s. na tërheq vërejtjen që të ruhemi nga shirku dhe na tregon masat mbrojtëse kundër tij.
Ebu Musa El-Esh-shariju r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. një ditë ka mbajtur një fjalim, dhe ka thënë:
O ju njerëz, keni frikë shirkun se ai është më i fshehur se ecja e bubrrecit. Dikush nga as-habët tha: O i Dërguar i All-llahut, e si të ruhemi nga shirku pasi që ai është më i fshëhtë se ecja e bubrrecit. Pejgamberi a.s. tha: Thoni çdo mëngjez dhe mbrëmje: O Zot, të lutemi të na mbrosh që të mos bëjmë shirk me diçka, duke e ditur dhe kërkojmë falje për atë që ne nuk e dimë.
Transmetojnë Ahmedi dhe Taberaniu.

Porosia 66

Nga kjo porosi mësojmë rëndësinë dhe vlerën e pastrimit të gojës dhe përdorimit të misvakut.
Prej Ebi Umamete r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Lani dhëmbët me misvak, sepse misvaku pastron gojen, ai që përdor misvakun All-llahu me të është i kënaqur. Xhibrili çdo herë që më ka urdhëruar më ka porositur që të përdori misvakun, sa që jam frikësuar se po më bëhet farz mua dhe ummetit tim. Po sikur të mos frikësohesha se do të ngarkoja ummetin tim, do ta kisha obliguar që të përdorin misvakun gjatë çdo abdesi.
Transmeton Ibni Maxhe

Porosia 67

Nga kjo porosi kuptojmë vlerën e dhikrit dhe faljës së namazit në kohën e vet.
Prej Ajadit r.a. transmetohet se ai ka dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë:
Përmendni All-llahun vazhdimisht dhe sa më shumë.
Namazin falne posa të hyjë koha, e kurrsesi mos e vononi, e All-llahu do t’ua dyfishojë shpërblimin.
Transmeton Darimiu.

Porosia 68

Nga kjo porosi mësojmë se shtëpia dallohet nga varrezat vetëm nëse në të falim namaz.
Prej Ibni Omerit r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
Falni namaz në shtëpitë tuaja e mos i bëni ato varreza .
Transmetojnë Buhariu,Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nasiu.

Porosia 69

Nga kjo porosi mësojmë që çdo herë kur e kemi gjuhen e lirë të angazhohemi me dhikër.
Prej Muadhit r.a. transmetohet se ky e ka pyetur Pejgamberin a.s.:
O i Dërguar i All-llahut, cila punë është më e mirë që më afron tek All-llahu?
Pejgamberi a.s. tha:
Gjuha jote le të jetë e angazhuar natën dhe ditën me të përmendurit All-llahun.
Muadhi thotë: Kjo ka qenë biseda ime e fundit me Pejgamberin a.s.
Transmeton Imam Ahmedi

Porosia 70

Nga kjo porosi mësojmë se duhet të kemi frikë ndaj All-llahut dhe ta ndjekim sunnetin e Pejgamberit a.s. dhe të hulefai rashidinëve.
Prej Urbad bin Sarijete r.a. transmetohet se ka thënë:
Pejgamberi a.s. fali namazin pastaj u kthye kah ne, na këshilloi sa që shumë na preki, na u trishtuan zemrat dhe na lotuan sytë, pastaj dikush iu drejtua dhe tha: O i Dërguar i All-llahut, kjo sikur të jetë këshillë e fundit, andaj vazhdo të na këshillosh edhe më.
Pejgamberi a.s. tha:
Ju këshilloj të keni frikë All-llahun (urdhërat e Tij zbatoni, nga haramet, të ndaluarat largohuni),
dëgjoni dhe respektoni po edhe nëse ju udhëheq një rob zezak , ngase ai që do të jetojë pas meje, do të shohë shumë kundërshtime,
andaj kapuni për sunnetin tim dhe sunnetin e hulefave të drejtë, të udhëzuar pas meje,
kapuni fortë për sunnetin tim me dhëmballët e juaja (d.m.th. me gjith fuqinë tuaj që posedoni).
Ju tërheqi vërejtjen të keni kujdes, të ruheni nga punët e shpikura në fe, sepse çdo çpikje në fe është bid’at (risi), e çdo bid’at është dalalet (humbje e rrugës së vërtetë).
Transmetojnë Ahmedi dhe Ebu Davudi.