Edukata familjare (I) Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
 Shkruan: Islam Dizdari
 
Në kushtet e sotme problemet e edukimit dalin gjithnjë e më shumë në plan të parë. Tashmë si shoqëria, ashtu edhe familja po e kuptojnë seriozisht se krahas nivelit ekonomik dhe mirëqenies, krahas arsimimit dhe punësimit të breznive të reja, po duket qartë domosdoshmëria e një preokupimi serioz dhe me pikësynime të qarta edhe për problemet e edukimit.
 

Aq më tepër se edhe vetë bërthama bazë e shoqërisë, familja, ka pësuar shumë të çara dhe është lëkundur mjaft këto vitet e fundit. Familja shqiptare nga dita në ditë po pëson tronditje serioze, që vijnë si rrjedhojë e një mendjelehtësie për të përvetësuar ato forma jetese, gjoja përparimtare dhe të emancipuara që na i servir bota e huaj perëndimore, pa marrë aspak parasysh traditat tona, kushtet tona dhe mundësitë tona. Vini re gjymtimet e familjeve, kur një pjesë e madhe e të rinjve janë në mërgim, vini re ndarjet e dhunshme të burrave nga gratë, të baballarëve nga fëmijët, qoftë edhe për arsye ekonomike, vini re divorcet e shumta, martesat e mitura, pa përmendur këtu plagët e rënda të prostitucionit, të drogës, të alkoolizmit dhe të shumë sëmundjeve tjera shoqërore, që në radhë të parë prekin e dëmtojnë familjen. Janë pikërisht këto arsye që na shtyjnë ta trajtojmë këtë problem, jo thjesht për të prekur plagën që është majisur dhe na dhëmb fort, por për të kërkuar ato mundësi shërimi që janë të domosdoshme.

 Asnjë këshillë nuk vlen për këtë si mjet shpëtimi. Çdo rast është një dukuri më vete specifike dhe do të zgjidhet nga vetë ajo familje, nga vetë ai prind, nga vetë ai fëmijë që po rritet dhe është futur në rrugën e vështirë të jetës. Tradita edukative familjare, përvoja e shkollës, mjetet e shoqërisë janë të shumta, por për fatin tonë të keq për një kohë të gjatë këto u ndanë, mohuan dhe nënvleftësuan e madje përçmuan mjetet që na ofron besimi, feja jonë Islame. Në shumë raste edukata familjare e në përgjithësi edukata shoqërore me të gjitha mjetet që ajo ka në dispozicion, iu kundërvu edukatës fetare dhe traditës që ajo kishte krijuar, e luftoi dhe në vend që të merrej me zgjidhjen e problemet edukative që po krijoheshin, luftonte ndikimin e traditave dhe të riteve fetare aq të dobishme në fushën e edukatës së fëmijëve. Ky problem nuk është kapërcyer, gjallon edhe sot e kësaj dite. Puna që bën psh Medreseja, propaganda dhe kultura fetare nënçmohet e madje në shumë raste është në kundërshti me një tendencë gjoja liberalizimi që duket sot në familjen, në shoqërinë dhe në kulturën shqiptare e që për fatin tonë të keq është institucionalizuar edhe nga mjetet shtetërore të edukimit. Vini re sjelljen morale të të rinjve, qëndrimin ndaj së mirës dhe së keqes e dukurive tjera të ndjenjave dhe cilësive morale, vini re veshjen dhe paraqitjen e jashtme të breznive të reja e sidomos të vajzave, qëndrimin ndaj alkoolit, ndaj duhanit, ndaj sjelljes qytetare, ndaj të të moshuarve e ndaj familjes në përgjithësi, vini re ashpërsinë dhe intolerancën e njerëzve e sidomos të meshkujve në veçanti. Të gjitha këto e shumë të tjera si këto e kanë rrënjën në edukatën familjare që do ta kemi objekt tonin. Qëllimi është t`u vimë në ndihmë prindërve. Ata mund të jenë edukatorë të mirë, ata mund të bëhen edukatorë të mirë. Kjo edhe fitohet në praktikën e jetës. Sot ka një mungesë të theksuar informacioni në këtë fushë, prandaj ne po lëshojmë një rreze drite duke synuar që problemet e edukatës familjare t´i trajtojmë në aspektin pedagogjik dhe në mënyrë të organizuar.


Objekti i pedagogjisë familjar


Pedagogjia familjare si degë e pedagogjisë së përgjithshme ka një objekt të gjerë. Ajo përfshin problemet e përmbajtjes së edukatës në familje, parimet e organizimit të saj, mjetet, metodat dhe format e punës edukative, lidhjet e familjes me të gjitha mjetet e institucionet edukative, veçoritë e punës edukative, kërkesat ndaj prindit si edukator etj. Familja është një organizëm edukativ që i zgjidh detyrat e veta të posaçme duke bashkëvepruar me të gjitha mjetet tjera që ka në dispozicion shoqëria.


Vendi i edukatës familjare


Në mendimin pedagogjik botëror ka pikëpamje të ndryshme lidhur me vendin që zë edukata familjare dhe për rolin që luan ajo në të gjithë sistemin e edukimit të brezit të ri. Dy janë pikëpamjet themelore:


Drejtimi i parë
, e ngre rolin e edukatës familjare mbi të gjithë faktorët tjerë duke theksuar se interesi i prindërve dhe i familjes në edukim është parësor dhe determinues, madje arrihet deri në atë shkallë sa të minimizohet roli i shkollës dhe i institucioneve tjera. Edhe në vendin tonë ka tendenca të tilla për të shmangur në një farë mënyre rolin e shkollës, mësimin në kushtet e klasës me mësimin individual të organizuar në shtëpi nga prindi apo nga mësues privatë. Psh. Ka filluar në mënyrë disi masive mësimi i gjuhëve të huaja me mësues privatë, në shumë raste edhe paralelisht me atë që bëhet në shkollë. E jo vetëm për gjuhët e huaja, por edhe për disa lëndë si matematika etj. Natyrisht shkalla e lartë e interesimit të prindit për ngritjen kulturore të fëmijëve është një tendencë shumë e dobishme, por nuk mund të shkojë në drejtim të kundërt me shkollën, ta nënvleftësojë dhe ta minimizojë rolin e saj. Kemi vënë re që hapen kurse për mësimin e besimit dhe të arabishtes. Një gjë shumë e dobishme. Por nuk e kuptojmë se si në këto kurse ka edhe nxënës të Medresesë, të cilët zhvillojnë një program shumë të gjerë dhe marrin njohuri të plota në vartësi me programin mësimor duke i kapërcyer shumë herë ato të kurseve fillestare. Në aspekte tjera të edukimit kjo tendencë është edhe më e dukshme. Psh. në fushën e edukimit moral. Në disa fusha të edukatës prindi dhe familja i kundërvihen shkollës dhe madje edhe shumë mjeteve tjera të komunikimit masiv. Kjo jo thjesht për dobësi të përmbajtjes së punës së këtyre institucioneve, por në kundërshti, në mospërputhje konceptesh dhe pikëpamjesh.


Drejtimi i dytë, përpiqet ta minimizojë rolin e familjes dhe të mbivlerësojë edukimin jashtë ndikimit të prindërve. Psh. vlerësohet ndikimi i mikromjedisit, si ai i shoqërisë së rrugës, shokët e shoqet e fëmijës. Disa të tjerë vlerësojnë rolin e shkollës dhe të mësuesve si specialistë të punës edukative me fëmijët etj. etj. Jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht, gjithnjë edhe sot prindi përgjigjet për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve. Tagret e prindit e të familjes për mirërritjen e fëmijës do t’i trajtojmë më poshtë, por këtu duam të theksojmë se në shumëllojshmërinë e faktorëve që ndikojnë në edukimin e breznive të reja, familja është një faktor shumë veprues dhe se në etapa të veçanta të moshës së fëmijëve dhe për probleme të veçanta luan një rol vendimtar. Kjo shpjegohet po të kemi parasysh disa arsye:

Së pari
, kur familja ngrihet mbi baza të shëndosha, kur krijohet një atmosferë e shëndoshë familjare me marrëdhënie të drejta mes pjesëtarëve të saj, e sidomos mes nënës e babës, fëmijëve dhe prindërve; kur ekziston rregulli dhe respekti në marrëdhëniet mes pjesëtarëve të familjes, kur ndërgjegjja e prindit për edukimin e fëmijëve është e një shkalle të lartë e kjo shoqërohet me rritjen e interesit për edukim e me kujdesin e nevojshëm në këtë fushë, natyrisht e shoqëruar me traditën e mirë familjare, me kulturën dhe përvojën e nevojshme, me nivelin e kënaqshëm material dhe konfortin familjar. Në të gjitha këto rrethana edukimi i fëmijëve në familje gjen kushtet e përshtatshme dhe niveli i punës rritet e si rrjedhim frutet nuk vonojnë të duken. Shtysat e para dhe shpeshherë vendimtare në fushën e edukatës fëmija i merr në familje.

 
Së dyti, familja ka përparësi në disa fusha dhe drejtime të edukatës, sepse ka kushte shumë të natyrshme edukative. Bashkëjetesa, marrëdhëniet mes prindit dhe fëmijës, lidhjet e gjakut krijojnë kushte për një afërsi të natyrshme mes pjesëtarëve të familjes. Si rregull kjo afërsi ruhet për të gjithë jetën, prandaj autoriteti i drejtë, interesimi i prindit, përvoja jetësore dhe dashuria prindërore bëhen një faktor shumë i rëndësishëm ndikues në edukatë.

Në arsimimin dhe në formimin e përgjithshëm të fëmijëve shkolla luan rol kryesor dhe drejtues me planet dhe programet e veta mësimore. Roli i familjes në këtë drejtim padyshim është ndihmës. Por në edukatë ka pamje të tilla, ku përparësia e prindit dhe e familjes dalin në pah më shumë se shkolla. Në edukimin fillestar shëndetësor dhe fizik familja dhe posaçërisht nëna është e pazëvendësueshme, gjithashtu në edukimin e disa cilësive morale. Në një hadith Hazreti Muhamedi a.s shprehet: “Nën këmbët e nënës është xheneti“. Nëna me dashurinë e saj që e ka burimin tek amësia, i mëkon fëmijës së vet së bashku me qumështin e gjirit ndjenja të tilla, si butësia, dashuria, mëshira, zemërgjerësia, dhëmshuria etj. Ajo i drejton fëmijët në rrugën e vështirë, por të sigurt, drejt xhenetit.

Me të drejtë poeti shprehet: Me se rrojnë foshnjat, ç´i rrit çilimijtë?

Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë.

Po kështu ngjet në zhvillimin fillestar intelektual dhe të aftësive për të folur. Cila shkollë mund ta zëvendësonte familjen në përpjekjet e para për belbëzim që zhvillohen tek fëmija? Fëmija futet në klasën e parë me një sistem të plotë zhvillimi të aftësive shprehëse gjuhësore. E natyrisht shkolla këto i mbreh dhe i përpunon në të gjitha strukturat e veta. Më shumë se në familje nuk mund të luftohen disa vese të këqija si parazitizmi, përtacia, kryeneçësia, etj. Një fëmijë që nuk merr në familje shprehitë e para për kulturën dhe disiplinën e punës, do të vuaj tërë jetën, sepse edhe disa veprime krejt të thjeshta, që dikush i kryen me një frymë, atij do t´i duken tepër të rënda e të mërzitshme. E mendoni se ka plot fëmijë deri në një moshë relativisht të lartë shkollore që nuk dinë të ushqehen, të vishen e të mbathen vetë, e jo më të kryejnë punë të tjera për veten e të tjerët. A nuk bëhen të bezdisshëm disa djem që edhe për gjërat më të thjeshta kërkojnë gjithnjë shërbimin e nënës dhe të motrës së vet?

Së treti, puna edukative në familje ka vazhdimësi më të madhe në krahasim me çdo mjet tjetër edukimi. Ndikimi i saj fillon që në moshë të njomë, kur hidhen themelet e edukatës, vazhdon gjatë të gjithë periudhës që fëmijët ndjekin shkollën, madje edhe më vonë. Në kushte të tilla puna e prindit ka vazhdimësi më të madhe se sa puna e mësuesve dhe e edukatorëve të çdo kategorie shkolle.

Parimet e edukatës familjare

Është dëshirë e përjetshme e baballarëve të shohin të realizuar tek bijtë e vet dy jetë, atë që u takon vetë bijëve dhe atë që kanë lënë pa realizuar në jetë vetë baballarët”, -thotë shkrimtari dhe filozofi i shquar gjerman Gëte.. Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i edukatës familjare, parimet themelore të saj. Detyra kryesore e kësaj edukate është rritja dhe edukimi i mirë i fëmijëve.Të rinjve u takon e ardhmja. Ata do të jetojnë në periudha më të përparuara, prandaj edhe duhen përgatitur më mirë, duhen aftësuar për të përballuar detyrat dhe punët e së ardhmes që do të jenë gjithnjë e më të vështira, sepse zhvillimi e përparimi kërkon njerëz më të aftë. “Përgatitini fëmijët tuaj, mësojini fëmijët më mirë se ju, sepse atyre u takon e ardhmja”,-na mëson poeti ynë, Naim Frashëri.

 Fëmijët do të jenë qytetarët e ardhshëm të vendit, ata do të jenë nënat e baballarët e rinj. Fëmijët tanë janë edhe shkopi i pleqërisë. Edukimi i mirë i tyre janë edhe pleqëria jonë e lumtur. A ka kënaqësi më të madhe sesa të kesh fëmijë të denjë, trashëgimtarë të devotshëm të traditave më të mira të besimit islam, të familjes dhe të prindërve? Nga tradita profetike e Hazreti Muhamedit a.s. mësojmë:”Fëmijët e edukuar mirë janë një kapital i madh dhe pasuria më e mirë. E kush ka fëmijë të miredukuar nuk duhet t`i frikësohet varfërisë në pleqërinë e vet. Fëmijët e rritur të edukuar janë pensioni më i mirë”. Për këtë ai është kujdestar i ngarkuar me shumë përgjegjësi. Pejgamberi ynë na mëson:” Të gjithë ju jeni barinj dhe të gjithë ju do të pyeteni për kopenë tuaj; sunduesi është bari dhe do të pyetet për kopenë e vet; njeriu është bari në familjen e vet dhe do të pyetet për kopenë e vet; gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të vet dhe do të pyetet për kopenë e vet…” Përndryshe rezultatet do të jenë të dyshimta, sepse fëmijët e edukuar keq janë hidhërimi ynë. A ka fatkeqësi më të madhe se sa të kesh fëmijë të edukuar keq? Mendoni sa lot derdhin ato nëna, kur shohin tek bijtë e vet sjellje të padenja. Çdo njeri mund të gabojë, madje edhe mund të bëjë një punë keq, por e kupton gabimin dhe e ndreq atë. Po mendoni të edukosh keq një njeri, sesa e vështirë është, në mos e pamundur të ndreqet. Disa vese të këqija, një karakter i keq duan përpjekje të mëdha për t`u riedukuar. Edukimi i keq nuk është vetëm hidhërimi i pleqërisë, por edhe përgjegjësi para Zotit xh.sh., para njerëzve të tjerë, para shoqërisë, para atdheut, prandaj edhe ka norma morale e detyrime ligjore para prindit. Ata janë përgjegjës për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve të vet.

Baballarët, prindërit kanë përvojë të gjatë jete, kanë kaluar shumë prova, kanë pasur suksese në jetë, por edhe dështime, prej tëë cilave kanë nxjerrë shumë mësime, prandaj edhe, kur shohin një veprim të gabuar në jetën e fëmijëve të vet, ata mundohen e përpiqen t´i mbrojnë nga e keqja, nga dështimet, përpiqen t´i këshillojnë, t´i urdhërojnë e t´i ndalojnë për të mos rënë në vorbullën e jetës , grushti gotitës i së cilës shpesh është i rëndë dhe ka peshë të dyfishtë për këtë jetë dhe për në amshim. Prindërit jo rrallë janë të pakënaqur nga qëndrimet dhe veprimet e bijve, prandaj edhe ka mospërputhje e kundërshti mes brezit të vjetër dhe brezit të ri, mes etërve dhe bijve. Nuk duhet harruar se bijtë kanë jetën e vet, ata kërkojnë ta jetojnë dhe të formojnë përvojën e vet në rrymat e jetës. Nuk duhet harruar se ndonjëherë kujdesi i tepruar i prindërve kthehet në një tutelë që shpesh herë paraqet rreziqe. Prindi në emër të edukimit i fut fëmijët, si të themi nën sqetull, i mëkon, ua shtron rrugën e ata rriten si në serat e ngrohta. E, sa fillojnë të dalin në ajër të pastër thyhen nga vështirësitë më të vogla. Një gjë ka rëndësi, fëmija që në moshën më të njomë duhet të stërvitet të masë forcat e veta, duhet të dijë sesa është i zoti të bëjë, sa i vlen lëkura.

Disa nga parimet themelore të edukimit janë:

  • Edukimi i drejtë është një veprimtari shumë më e lehtë sesa riedukimi.

  • Prindi është përgjegjës për edukimin e mirë të fëmijëve.

  • Të formohen marrëdhënie të drejta familjare midis burrit dhe gruas, midis prindit dhe fëmijës, midis të moshuarve dhe të të rinjve.

  • Krijimi i një atmosfere të shëndoshë edukative në familje.

  • Organizimi i mirë i jetësfamilje.

  • Takti i mirë dhe autoriteti i drejtë i prindit janë faktorë me rëndësi në edukimin e fëmijëve.

  • Përpunimi dhe zgjedhja e metodave të edukimit në familje duhet bërë me kujdes e në përshtatje me veçoritë e fëmijëve.

  • Kultura familjare dhe traditat e mira të edukimit kanë vlerën e vet në edukim.

Të gjitha këto probleme do të trajtohen veçanërisht, por ne këtu sa i përmendëm.

Edukimi i drejtë i fëmijëve është një veprimtari shumë më e lehtë se riedukimi

Pejgamberi Muhamed a.s na ka këshilluar që t´i edukojmë mirë bijtë tanë, sepse kjo do të jetë dhurata më e çmuar për ta. Për këtë në një hadith thuhet:”Babai nuk mund t´i dhurojë asgjë më të bukur fëmijës së vet sesa edukatën e mirë”, ndërsa shoku i ditur i Muhamedit a.s., Abdullahu, i biri i Omerit r.a. thotë:”Edukoje bukur birin tënd, sepse për të je përgjegjës sesi e ke edukuar dhe me çka e ke edukuar”.

Edukimi i fëmijës fillon shumë vite para lindjes së tij, madje Pejgamberi ynë i nderuar thotë se edukimi i tij fillon 20 vjet para lindjes. E kjo lidhet me të gjitha përgjegjësitë dhe kushtet familjare në fushën e edukatës që nuk krijohen për një çast, por janë një vazhdimësi hallkash të pafund, të ndërlidhura fort njëra me tjetrën në të gjithë traditën e mirë të edukatës familjare. Çdo gabim apo pakujdesi në një hallkë të këtij procesi të pandërprerë krijon shumë vështirësi e pengesa që shpesh janë tepër të vështira të kapërcehen. Nga këto kuptohet lehtë se edukimi mund të jetë i drejtë, por edhe i gabuar. Çdo fëmijë lind i pastër, i papërlyer nga asnjë ide apo mendim, ai lind i paqtë, islam, por është në dorën e nënës, të familjes apo edhe të shoqërisë që ai të jetë i mirë apo i keq, të përqafojë njërën apo tjetrën ideologji, njërën apo tjetrën fe. Që në fëmijërinë e hershme, madje, që sapo lind fëmija duhet treguar i gjithë kujdesi dhe interesimi i duhur për mirërritjen dhe edukimin e tij. Në këtë mes nëna është themeli i dukatës. Por shpesh vetë nënat me kujdesin e tyre të tepruar, me dashurinë e dhembshurinë e tyre bëhen shkak që fëmija të fitojë disa shprehi negative që është tepër vështirë të korrigjohen. Po sjellim ndonjë shembull. Pedagogu i famshëm Rusoi në veprën e vet “Emili” thotë se “…dhurata e parë që prindët u bëjnë fëmijëve, janë hekurat “. E vërtetë, është bërë zakon që nënat e reja, që para lindjes përgatitin pelenat dhe kondakët me të cilët i mbështjellin dhe i lidhin foshnjat që mbas banjës së parë. A nuk keni vënë re sesa kënaqësi ndien fëmija kur lirohet nga gjithë ata vargoj që e kanë shtërnguar për disa orë, si shpihet e kënaqet duke i gjuajtur me këmbë e me ato duar të vogla? A nuk i keni vënë re nënat e gjora duke i marrë mbrapa fëmijët e vet me pjatë në dorë për t´ua mëkuar ushqimin? A nuk keni vënë re sa e sa fëmijë që, kur vjen koha të shkojnë në shkollë presin të kenë çdo gjë gati, edhe ushqimin, edhe rrobat, edhe këpucët, madje shpeshherë edhe librat e fletoret? Nënat shpeshherë i mbysin fëmijët me dashurinë e kujdesin e tyre të tepruar. Dhembshuria dhe sakrifica janë dy virtyte të rralla që burojnë nga amësia, por edhe këto duhet të jenë me masë. Çdo nënë dëshiron ta ushqejë sa më mirë foshnjën e vet, por edhe për këtë ka një këshillë: mos e teproni! Çdo mjek i këshillon nënat e reja që t´i ushqejnë foshnjat në një orar të caktuar e, sidomos natën ato nuk duhet t´u japin të pijnë. Këtu nuk po flasim për arsyet higjenike mjekësore, por ka edhe ndonjë arsye tjetër po kaq me rëndësi. Nëna është e lodhur gjatë ditës, natën duhet të pushojë, të rimarrë forcat, sepse e pret një ditë e re plot punë. Ajo vetë duhet të jetë e qetë, që të ketë qumështin e mjaftueshëm për foshnjën e vet. Po ç´ngjet në fakt? Ajo nga kujdesi dhe dhembshuria e tepruar për fëmijën, sapo lëviz ai apo, sapo nxjerr zë, e merr në dorë dhe i jep gji. Fëmija që i vogël ka nevojë për një regjim të caktuar ushqimi, pastrimi, banjoje e aq më tepër gjumi e pushimi. Janë vetë nënat që ua prishin fëmijëve mundësinë e krijimit të këtij regjimi.

Edukimi i drejtë i fëmijëve është një veprimtari normale, nuk është një punë dhe aq e vështirë sa u duket shumë prindërve. Këtë mund ta bëjë çdo njeri, çdo nënë e çdo baba. Kjo bëhet lehtë, nëse duam ta edukojmë vërtetë, nëse i përkushtohemi kësaj pune në çdo moment të jetës së fëmijës, nëse e bëjmë vazhdimisht e njëlloj, me kërkesa unike e të vazhdueshme. A nuk shihni në shtëpitë tuaja që njëri e ndalon ose e urdhëron e madje edhe e dënon, e tjetri e miklon dhe e përkëdhel? A nuk shihni shumë nëna që tashti i kërcnohen e në të njëjtën kohë e rrokin dhe e puthin fëmijën?

Fëmijët duke qenë të paaftë e nën kujdesin e vazhdueshëm të prindërve dhe të të rriturve në familje “ulin në gjunjë gjigantët” e kështu, pak e nga pak me paaftësinë e tyre e me pamundësinë e tyre mësohen të hanë me lugën e të tjerëve dhe u hipin në qafë të rriturve. A nuk shihni shumë fëmijë që duke ua kuptuar debulesën prindërve bëhen tiranë mbi to, kërkojnë t´u plotësohen tekat? Nuk mund t´i bërtas, -thoshte një nënë, -sepse fëmija merr vaj dhe e nxjerr tërë ushqimin. Kurse në të vërtetë fëmijët shumëherë shtihen e shkrehen në vaj vetëm që t´u plotësohen tekat.

Në qoftë se fëmija nuk është edukuar drejt, nëse ju ka rrëshqitur diçka, nëse jeni munduar pak për to ose edhe jeni dembelosur, e keni lëshuar fëmijën, atëherë shumë gjëra duhet të ndryshohen e të ndreqen. Mirëpo ndreqja, riedukimi nuk është një punë edhe aq e lehtë. Riedukimi kërkon edhe më shumë forca, më shumë njohuri, por edhe më shumë durim. Për fat të keq jo të gjithë prindërit i kanë këto. Riedukimi është një punë jo vetëm e vështirë, por sjell edhe më shumë kokëçarje dhe pakënaqësi tek prindërit, jo rrallë ua prish atyre qetësinë, ua acaron nervat e madje ndikon për keq në harmoninë familjare. Zënkat e shqetësimet familjare rrjedhin në shumë raste nga sjelljet e këqija të fëmijëve. Prindërit akuzojnë njëri- tjetrin për dobësitë e fëmijëve.

Pedagogët e të gjitha kohëve theksojnë që prindërit duhet të përpiqen gjithmonë që t´i edukojnë fëmijët në atë mënyrë që mos t`u qëllojë më vonë të ndreqin asgjë, që në fillim gjithçka të jetë bërë drejt. Populli e shpreh shumë bukur vështirësinë në edukim:”Me çue një fëmijë në kambë, asht si me çilë një pus me gjylpanë”. Edukimi i fëmijëve kërkon shumë sakrifica dhe një interesim të vazhdueshëm nga prindërit. Pestaloci i shkruan një mikut të vet për punën që bënte me jetimët në shkollën e tij: ”Më së pari më duhej të fitoja besimin dhe dashurinë e fëmijëve; zemra ime ishte dhënë mbas tyre, lumturia e tyre ishte lumturia ime, gëzimi i tyre ishte gëzimi im, këtë fëmijët duhet ta shihnin që nga mëngjesi e deri në mbrëmje në ballin tim e në buzët e mia. Prej mëngjezit e deri në darkë vonë isha gjithnjë me ta, lotët e mi rridhnin me lotët e tyre; kur ishin mirë nga shëndeti, unë isha në mes tyre, kur sëmureshin, nuk ndahesha prej shtratit të tyre. Në mbrëmje isha i fundit që bija të flija e në mëngjes i pari që ngrihesha”. Vini re çfarë zemre e çfarë zelli.

Edukimi është i lehtë, kur bëhet çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, në çdo rast, në çdo rrethanë, pa nënvleftësuar asgjë,natyrshëm, me durim e me këmbëngulje, duke sakrifikuar nga pak, por pa ankesa e pa lavdërime. Në fund të fundit për fëmijët tanë punojmë e lodhemi. E do të jetë shumë e vështirë në rast të kundërt jo vetëm shumë e vështirë, por edhe me plot andrralla e dështime që krijojnë shqetësime të pafund.

Këto vështirësi rriten në ato familje ku ka mungesë harmonie mes prindërve e sidomos në familjet e divorcuara. Lidhur me këtë janë shumë aktuale fjalët e Muhamedit a.s.”Vepra e lejuar më e urrejtur tek Allahu është divorci”. Jeta është plot zigzake, në familje mund të ketë edhe mosmarrëveshje, ndodh që prindërit të ndahen nga njeri- tjetri, por pavarësisht nga kjo është fatkeqësi shumë më e madhe braktisja e fëmijëve ose ç´është më keq zënkat në sy të fëmijëve. Është shumë e padrejtë, madje e dhimbshme që prindërit, pa marrë parasysh asnjë normë morale flasin për partnerin, burrin apo gruan e ndarë një mijë të këqija. Mendoni se çfarë pasojash kanë këto fjalë të hedhura pa kujdes për fëmijët që dëgjojnë e ndjejnë çdo gjë që ngjet në familje. Shumëherë dëgjohet shprehja që prindërit janë gati të sakrifikojnë gjithçka për fëmijën e vet, por, kur vjen puna që të jenë pak më delikatë në marrëdhëniet bashkëshortore, ata e harrojnë zotimin. Në qoftë se prindërit i duan vërtetë fëmijët dhe synojnë t´i edukojnë sa më mirë, në emër të kësaj dashurie, për hatër të fëmijëve të vet duhet që të përpiqen që mosmarrëveshjet dhe kontradiktat të mos i thellojnë, të mos e çojnë perin deri në të këputur, sepse në këtë mënyrë, veç tjerash do t´i vënë fëmijët e vet në pozita shumë të vështira.

Për fat të keq në shumë familje vihet re një mungesë e theksuar preokupacioni për edukimin e fëmijëve. Mos mendoni se çdo gjë bëhet vetvetiu. Kur gabon fëmija apo bën një faj, në vend që prindi të preokupohet seriozisht, e kalon lehtë, mendon se fëmija është i vogël dhe i bën lëshime. Pastaj shpesh prindi çuditet kur gjërat trashen e fëmija pak nga pak rrëshqet. Prindi duhet ta ketë të qartë se çfarë duhet të edukojë tek fëmijët e vet, duhet t`i ketë të qarta synimet dhe dëshirat në këtë fushë. Mendojeni njëherë mirë këtë çështje dhe do të shihni sa shumë gabime keni bërë e sa shumë shtigje të reja e të drejta keni përpara. Mos harroni, ju jeni bari në familjen tuaj.

Marrëdhëniet e drejta familiare faktor me rëndësi edukimi

Çdo njeri është në lidhje e marrëdhënie tripalëshe: me vetveten, me shoqërinë dhe me Zotin xh.sh. Marrëdhëniet në familje duhen parë si një aspekt i tyre, prandaj edhe problemin në fjalë duhet ta shohim në tre aspekte:

Së pari, njeriu është në lidhje e në marrëdhënie me vetveten. Në mendimin pedagogjik ky problem është aq i vjetër sa edhe vetë edukata. Një pedagog i shquar thotë: “S`është gjë më e rreptë dhe më e vështirë se sa të luftosh me veten, por s`është fitim më i bukur e ngadhnjim më i madh, sesa kur njeriu e mund veten“. Kurdoherë në thellësinë e ndërgjegjes lufton e mira me të keqen, e drejta me të shtremtën, gjithnjë janë në luftë kërkesat biologjike me arsyen, me ndërgjegjen, trupi me shpirtin.  Sa herë bëjmë një veprim të gabuar apo sillemi në mënyrë jo të drejtë kemi brerje të ndërgjegjes, kuptojmë gabimin apo fajin dhe përpiqemi të ndryshojmë e të vihemi në rrugë të drejtë. Mjafton një gabim i vogël e pa rëndësi në dukje që t`ia ndryshojë rrjedhën e qetësinë e jetës një njeriu. Shkurt, jeta e njeriut kalon gjithnjë në një rrugë plot zigzake në mes të asaj që është e lejuar dhe asaj që është e ndaluar. E kush mësohet që në fëmijëri të llogarisë e të mbasë sjelljet e veta, arrin të përmirësohet e të ecë përpara në fushën e një edukate gjithnjë e më të shëndoshë ose, ruajna Zot, mund edhe të ngjasë e kundërta, zhytet thellë e më thellë në plotësimin e epsheve e të nevojave të veta biologjike e në këtë rast ka pak ndryshim nga kafshët, madje edhe më keq, ai mund të bëhet një egërsirë e vërtetë, një kriminel.

Njeriu është i lirë aq sa edhe është zot i vetvetes. Njeriun e ka krijuar Allahu xh.sh. si krijesën më të përsosur. Ai ka mendjen e çmuar, dhuntinë më të vyer që e dallon nga kafshët, aq më tepër ai është i lirë të zgjedhë në mes dy rrugëve: të lejuarës (hallallit) dhe të ndaluarës (haramit). Ai mund të veprojë drejt në rrugën e lejuar, por edhe keq në rrugën e ndaluar. E mira e njeriut vlerësohet më shumë, sepse ai zgjedh hallallin, kur ka mundësi të veprojë në rrugën e haramit.

Ky është një problem kyç në edukatë. Kur një fëmijë arrin të jetë zot i vetvetes në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, të veprojë duke ndjekur pikëpamjet e veta të arsyeshme, kur të veprojë në mënyrë të pavarur ndaj të tjerëve, të veprojë si i thotë ndërgjegjja morale islame e trajtuar dhe e edukuar mirë, atëherë edukimi i tij ka arritur në një shkallë të lartë. Në këtë rast fëmija ka arritur të jetë përnjimend një qenie e lirë, ai nuk lë që të luaj kush me të apo ta nxisë e ta frymëzojë në një rrugë jo të drejtë. Kush në fëmijëri luan me kohën dhe tallet me jetën, kush në fëmijëri nuk mësohet ta sundojë vetveten, kurrë më vonë nuk ka për ta gjetur fijen e së drejtës dhe gjithmonë rob ka për të mbetur. Zotërimi i vetvetes është përdorimi i arsyes kundër prirjeve, epsheve, ndiesive e veseve. Kjo përbën harmoninë e jetës së brendshme, lirinë e veprimin e fuqive më të larta e bukurinë e vërtetë të shpirtit e të ndërgjegjes njerëzore.

Së dyti, njeriu nuk jeton vetëm. Ai hyn në marrëdhënie me rrethin shoqëror, me njerëzit e tjerë. Kur është i mitur, ky rreth është i kufizuar brenda familjes, nënë e babë, vëllezër e motra e më gjerë. Duke u rritur rrethi zmadhohet me shokët e lagjes, të shkollës e dalëngadalë fëmija futet në mjedisin e gjerë shoqëror. Njeriu i rritur është në marrëdhënie të përditshme e të vazhdueshme me shoqërinë njerëzore dhe të gjitha institucionet e saj. Objekt i temës së sotme është njëri aspekt, marrëdhëniet familjare, madje edhe më i kufizuar, marrëdhëniet e prindërve, marrëdhëniet e të gjithë pjesëtarëve tjerë të familjes dhe ndikimi i këtyre marrëdhënieve në edukimin e fëmijëve.

Së treti, njeriu sa është përgjegjës para vetes, para familjes dhe shoqërisë po aq, madje edhe më shumë është përgjegjës para Krijuesit të gjithësisë, para Zotit xh.sh. Marrëdhëniet familjare në mendimin pedagogjik janë vlerësuar gjatë të gjitha etapeve të zhvillimit të shoqërisë. Një pedagog e ka vlerësuar kështu rolin e edukatës familjare:“Aq sa mundet dielli të ndriçohet prej dritës elektrike më të fuqishme, aq më pak frymëzimet e familjes në edukatë mund të kapërcehen prej çfarëdo mjeti e mënyre artistike apo prej ndonjë tjetër mësimi pedagogjik“.

Në mësimet e besimit islam familja trajtohet si vendmbrojtja e secilit njeri, veçanërisht jeta familjare e myslimanëve është si një lloj xheneti i vogël. A ka kënaqësi më të madhe, a ka qetësi më të madhe shpirtërore sesa pas një dite të lodhshme pune kthehesh në gjirin e familjes dhe gjen qetësinë, paqën dhe gjithë kujdesin e duhur? Ky mjedis i ngrohtë respekti reciprok, mëshire të pakufi, kujdesi të pafund, lidhjet e përpjekjet e përditshme e të natyrshme mes fëmijëve e prindërve, lidhjet e brendshme shpirtërore e të gjakut, shfaqen e realizohen vetëm në gjirin e familjes. Kjo shpjegon edhe rolin shumë të rëndësishëm të familjes në edukatë. Fëmija i shikon të tjerët me një sy tjetër në krahasim me prindërit të cilët shpejt dhe me një dashuri të pashoqe i gjinden në çdo nevojë. Vetëm ai fëmijë i cili di të dojë fort disa vetë (pjesëtarët e familjes), sa të jetë gati edhe të sakrifikojë për ta, ai mund të jetë i zoti të kalojë jetën pa ankesa në dobi të të tjerëve. Në këtë mjedis familjar frymëzimi i nënës ka fuqinë më të madhe, sepse nëna dhe fëmija janë aq afër, sa mund të thuhet se janë një. Në mendimin pedagogjik botëror vihet re një tendencë gati e përgjithshme për t`i dhënë nënës vendin dhe rolin më të rëndësishëm në edukimin familjar. Në traditën profetike thuhet:“Xheneti është nën këmbët e nënës“. Kjo nënkupton idenë se nëna i jep fëmijës së vet shtysat dhe drejtimin e parë në jetë drejt së mirës, drejt së vërtetës, drejt hallallit, kundër së keqes, kundër së shtremtës, kundër haramit. Nëna ia hap fëmijës portën e udhës së drejtë për në xhenet. Pestaloci njihet në mendimin pedagogjik botëror si dishepulli më i shkëlqyer i idesë së nënës si edukatorja e shquar dhe më e para. Gëte thotë:“Po të ishin nënat të edukuara, fëmijët e tyre do të lindnin të edukuar“. Napolon Bonaparti pyeti se çka i duhej Francës për t´u dhënë një edukatë të mirë djemve të saj. Nëna – qe përgjigjja. Dhe ai shtoi: “Qe, me një fjalë të vetme gjetëm një sistem edukate“. Mësuesi i parë i fëmijëve, edukatori me ndikimin më të madh dhe më i përtshtatshmi është nëna e tij. “Nënat janë heroina të mëshirës“, -shprehet një edukator i madh. Mëshira e tyre është një ndjenjë shumë e madhe që nuk pret fare shpërblim. Një nënë për të shpëtuar fëmijën e vet pa shpresuar fare për shpërblim, sakrifikon jetën. Kjo tregon se gratë janë heroina të mëdha. Po të lulëzojë kjo cilësi, ajo është e shpëtuar në të dy jetët. Edukata që jep nëna është e lidhur ngusht me ato cilësi karakteristike vetëm për gruan, si: dashuria e pakufishme, mëshira e thellë, sakrifica sublime, durimi, delikatesa, dhëmshuria etj. cilësi të cilat e kanë burimin tek amsia, veti e dhënë nga Krijuesi i plotfuqishëm vetëm për nënat si burim i gjinisë njerëzore. Por në këtë rrugë të gjerë të mëshirës jo rrallë hasim edhe dukuri negative dhe teprime të cilat në vend që të ndikojnë në formimin e karakterit dhe të personalitetit të fëmijës e qullasin atë, e bëjnë shumë delikat dhe të prirë pas interesave të botës materiale, duke iu larguar lartësimit shpirtëror. Në edukimin e fëmijëve roli i nënës është vërtetë i pazëvendësueshëm, por lë shteg për dy gabime të mëdha në edukatë. Së pari, ngjall tek fëmija brishtësi dhe delikatesë të tepruar në raport me vështirësitë që paraqet realiteti. Së dyti, shumë nëna të prirura për t`u siguruar fëmijëve të vet një jetë të mirë materiale harrojnë formimin e tyre shpirtëror fetar islam gjë që krijon një rrezik të madh. Këta fëmijë në një çast të caktuar do të kuptojnë zbrazëtinë e tyre shpirtërore dhe do të padisin nënat e veta për këtë. Kjo do të ishte një fatkeqësi e pandreqshme për nënën dhe për fëmijën.

Ne nuk po zgjatemi në këtë problem delikat për të cilin ka plot literaturë, por theksojmë se në edukimin e fëmijëve nuk mjafton vetëm puna e nënës. Kjo patjetër duhet kombinuar me vlerën dhe rolin e babait në edukatë. Babai është një shtyllë tjetër e edukatës familjare. Ai me seriozitetin e tij, me shembullin e tij e pse jo edhe me rolin parësor në sigurimin e burimeve finaciare ekonomike të familjes edukon tek fëmija burrërinë dhe këmbënguljen për të kapërcyer vështirësitë e panumërta që dalin në jetë. Ne nuk duam të flasim këtu për përparësitë e njërit apo të tjetrit në edukim, por duam të theksojmë lidhjet e marrëdhëniet e të dy këtyre palëve, në ç`raport e në ç´lidhje janë prindërit dhe si e bashkërendojnë rolin e tyre në edukatë.

Respekti i ndërsjelltë, mirëkuptimi, uniteti i kërkesave, bashkërendimi i punëve për zgjidhjen e detyrave familjare, ndarja e detyrave dhe mënyra e zgjidhjes së tyre, koha që u kushtojnë edukimit të fëmijëve e shumë e shumë probleme tjera kanë rolin e vendin e vet. Në qoftë se këto marrëdhënie mes të dy prindërve janë të mbara e të drejta, ato ndikojnë për mirë tek fëmijët e patjetër do të duken shpejt frutet e tyre.

Por, a ka gjithnjë marrëdhënie të mira në familje mes bashkëshortëve? Këtë e ka shprehur bukur populli përmes fjalës së urtë “Sa ka peshk pa halë, aq ka shtëpi pa fjalë“. Natyrisht, në jetën e përditshme mes prindërve ka edhe mendime e pikëpamje të ndryshme, sjellje e qëndrime të ndryshme, jo rrallë ka mospërputhje e shpërpjesëtime, madje edhe kontradikta. Në një familje ku ka marrëdhënie të drejta e harmoni bashkëshortore këto kriza kalohen pa vështirësi të shumta. Por në mjaft familje kjo harmoni mes të dy bashkëshortëve nuk ecën drejt. Ajo kalon plot zigzake e vështirësi të panumërta. Një edukator i madh shkruan:“Është fatbardhë ai burrë që e ndjek gruan e tij të mirë e cila vepron sipas parimeve të fesë islame, duke u bërë në këtë mënyrë edhe vetë një mysliman i mirë. Po kështu është fatbardhe ajo grua, që ka pasur fatin të martohet me një burrë që përjeton fenë islame dhe përpiqet të mos e humbë kënaqësinë e jetës së amshuar. Ajo duke e ndjekur burrin e vet kthehet në një myslimane të mirë, që brënda kënaqësive të kësaj jete fiton edhe parajsën e lumtur.

Sa fatzi është ai burrë që imiton gruan e vet në rrugën e mëkateve dhe nuk mundohet ta pengojë atë duke e nxirë jetën akoma më shumë. Po kështu, edhe ajo grua vetë është po aq fatzezë që është martuar me një burrë të tillë i cili stimulon ligësitë e rrugës së mëkateve. Mjer ato çifte që bashkëpunojnë me njëri- tjetrin duke u shtyrë drejt veprimeve të shfrenuara nën petkun e modernizimit të jetës“.

Në këto raste, në këtë vorbull të jetës familjare përfshihen edhe fëmijët. Ata ndikohen fuqishëm gjë që krijon mungesa të theksuara në edukimin e sjelljen e tyre morale. Marrëdhëniet e gabimet e prindërve do të pasqyrohen qartë në sjeNuk po përmendim klljen dhe edukatën e fëmijëve. Këta fëmijë janë jo vetëm dëshmitarë të marrëdhënieve të parregullta mes prindërve, por edhe shkaktojnë shqetësime me veprimet e tyre të padenja. Po ndalemi vetëm në qëndrimin e prindërve në periudhën e adoleshences. I riu ka hyrë në një periudhë të ndryshimeve të fuqishme fizike e shpirtërore. Është një periudhë kur fëmija është në udhëkryq. Erëra të fuqishme e pushtojnë trupin dhe shpirtin e tij. Si i ndihmojnë prindërit fëmijët e vet në këtë periudhë kritike? Sa u qëndrojnë afër dhe më çfarë takti ndërhyjnë? Shumica dërmuese e prindërve i trajtojnë të rinjtë e kësaj moshe si fëmijë, kur në të vërtetë ata tashmë nuk janë fëmijë. Shumë të tjerë i harrojnë as nuk interesohen fare për ta. Plot të tjerë çdo tendencë të të rinjve për të afirmuar personalitetin e tyre e shtypin dhe e ndrydhin përmes urdhërash dhe ndalesash pa takt e pa arsye. Dukuria më e njohur dhe njëkohësisht më e dëmshme është se shumica e prindërve as nuk i njohin fëmijët e vet. Po cili është reagimi i fëmijëve? Në shumicën e rasteve ata heshtin ose japin përgjigje evazive e të thata, i fshehin qëndrimet e tyre, madje bëhen edhe tinzarë e hipokritë, ndryshe shprehen e ndryshe veprojnë. Kjo është rrjedhojë e qëndrimit të padrejtë të prindërve, e arrogancës së tyre, e interesimit të paktë dhe e shembullit negativ që ata japin në familjen e vet. A nuk e keni venë re ankesën e shumë baballarëve të cilët gjoja nga ngarkesa e madhe në punë harrojnë se kanë familje, harrojnë se kanë fëmijë dhe e kalojnë gjithë kohën në punë, në kafene, në shoqërinë e tyre dhe natyrisht nuk kanë kohë të humbin për edukatën e fëmijëve të vet? Rezultatet natyrisht do të jenë të dyshimta. Çfarë pret ai prind që gjithë ditën e kalon duke luajtur domino, hedh edhe ndonjë dopio e vjen pastaj në shtëpi duke dhënë urdhëra gjithandej, urdhëra që askush nuk i zbaton? Shembulli i tij, moskokëçarja e tij mjafton për të mbjellë farën e përtacisë dhe të mungesës së seriozitetit në jetë tek fëmijët.

Në shumë familje krahas prindërve jetojnë edhe vëllezërit e motrat, gjyshi dhe gjyshja. Në pamje të parë duket sikur problemet koklaviten në familjen me shumë fëmijë, numri i tyre shton detyrat dhe preokupacinet e prindërve. Kjo është e vërtetetë, por në rastet e një fëmije, e sidomos kur ky është djalë vihet re një kujdes i tepruar i prindërve. Efekti më i zakonshëm i këtij kujdesi të tepruar është llastimi i fëmijës. Rriten fëmijë egoistë, kryeneçë që dijnë vetëm të kërkojnë dhe, kur dalin në mjedisin shoqëror, nuk dijnë të përshtaten, kështu që shpesh bëhen gazi i shokëve.

Vëllezërit dhe motrat ndikojnë dukshëm përkrah prindërve. Në këtë rast edukohet aftësia për ndihmuar më të vegjlit, më të dobtit, nevojtarët, aftësia për të sakrifikuar për ta. Gëzimi që sjell bamirësia fitohet vetëm me veprime bamirëse e sidomos, kur këto bëhen për rrethin më të ngushtë familjar, siç është vëllai apo motra më e vogël. Kështu një i ri apo një e re, kur mësohet t`u shërbejë nevojtarëve, edhe kur të rritet nuk do të përtojë të veprojë në këtë mënyrë.

Në rastet kur në familje jetojnë edhe gjyshi e gjyshja dalin shumë dukuri interesante. Gjyshi dhe gjyshja falin më shumë, janë më lëshues, i marrin punët më me ngadalë për vetë natyren e moshës, nuk trazohen fort, jo rrallë bijnë në kundërshtim me prindërit. Fëmija gjen strehë tek gjyshi apo gjyshja, shpesh i shpëton ndalesës apo dënimit të prindit, por ata në shumicën e rasteve janë një faktor me shumë vlera edukative. Në kushtet e jetës së përbashkët edukohet dashuria për të moshuarit, ndjenja e nderimit për pleqtë, e kujdesit për ta, e sakrificës për të dobtit e të pamundurit e moshuar. E këto janë disa ndjenja të ngrohta që ua shtojnë gëzimin prindërve, ua zvogëlojnë telashet që sjellin sëmundjet e mosha, rritin harmoninë familjare përmes sakrificës së më të rinjve, gëzim që është i një cilësie të veçantë.

Sikurse shihet krijimi i marrëdhënieve të drejta në familje është një problem shumë faktorësh dhe mjaft i vështirë. Të metat që vihen re në karakterin e shumë fëmijëve, të mirat dhe të këqijat në edukatë varen në një farë shkalle nga këto marrëdhënie.

 

Autoriteti i prindit

Çfarë kuptojmë me autoritet të prindit? Ku e ka burimin?

Prindi është i ngarkuar nga shoqëria, është i detyruar e përgjegjës para Zotit xh.sh. që të rrisë fëmijë të shëndetshëm dhe të edukuar mirë. Këtu buron pushteti prindëror dhe autoriteti i prindit në sy të famijës.

Pa autoritet është e pamundur të kuptohet edukatori. “Një njeri që nuk di të urdhërojë as të dëgjojë, pra të bindet, ai nuk i duhet gja kujt” thotë një dijetar.

Mirëpo edukimi fillon heret, që në moshë të njomë kur asnjë argument logjik nuk mund të përdoret, asnjë pushtet shoqëror, apo formë e jashtme e autoritet nuk hynë në punë, megjithatë edhe në këtë moshë prindi duhet të ketë pushtet dhe autoritet mbi fëmijën.  E në këtë rast është autoriteti që krijohet nga kujdesi, dashuria e dhemshuria për një krijesë të dobët e të pambrojtur, që edhe për t’u ushqyer ka nevojën e të rriturve, e jo më për t’u veshur e për t’u mathur. Natyrisht në këtë rast jeta e fëmijës lidhet e varet nga kujdesi i prindit, prandaj edhe ai ka pushtet e autoritet te fëmija. Në këtë rast kuptimi i autoritetit nuk kërkon kurrfar argumentesh, ai pranohet si një meritë e padyshimtë e më të madhit, më të fuqishmit, e më të vjetrit mbi fëmijën. Forca e vlera e tij rroket me një shikim të thjeshtë të fëmijës, më shumë ndjehet se sa kuptohet. A nuk keni vënë re një fëmijë fare të vogël kur merr vaj, atë nuk mundet kush tjetër ta pushojë, veç nënës. Sa ajo i afrohet shtratit ku është fëmija, ai heshtë, madje edhe gëzohet edhe qesh. Besoj se të gjithëve ju shkon mendja të kuptoni se këtu nuk ka asgjë të mbinatyrshme.

Fëmija që në ditët e para ka kuptuar se afrimi i nënës lidhet me ushqimn. Ajo zbërthen gjoksin dhe i jep gji fëmijës, qumështin jetëdhënës. A ka gjë më të këndëshme se kur ke uri, të ushqehesh? Këtë veprim biologjik, këtë ndjenjë kënaqësie për t’u ushqyer nuk e kanë vetëm të rriturit, edhe fëmijët fare të vegjël. Provoni e lënje pa ngrënë një fëmijë, ai t’i merr mend duke qarë, e kur është i ngopur s’i ndihet zani i gojës.

Po kështu mund të ngjasë kur fëmija është i papastër, ka një gjëndje të pakëndëshme, është i sëmurë etj. A di kush më mirë se nëna më ja heqë të keqen? E në këtë rast edhe fëmija krejtë i vogël e kupton se kush e ndihmon, cili ka forcë t’ ja largojë të keqen e cili jo. Kush pra ka autoritet më shumë tek fëmija? Natyrisht ai që e mbron dhe kujdeset më shumë për të. Pra autoriteti i prindit në moshë të njomë buron nga pushteti absolut që ka mbi fëmijën që është krejtë i pafuqishëm por i varur kryekput nga prindi.

Kjo nuk duhet të na çojë në mendimin e gabuar që autoritetii prindit është diçka e lindur, është një dhunti apo një talent i dhënë. Jo. Është tjetër gjë fakti se duke u rritur fëmija, ai fillon të ketë njëfarë pavarësie nga prindi dhe vlera e tij fillon të bie në disa fusha. Fëmija vishet vetë, ushqehet vetë, ecë e shkon e vjen vetë. Në këtë rast krijohen lidhje më të gjëra të fëmijës me mjedisine, ai fillon e dallon qartë vlerat dhe dobësitë e prindit, e sapo gjenë ndonjë të çarë, përfiton prej tyre. Shkurt fëmijët përfitojnë nga të metat dhe dobësitë e prindit në sjelljen me fëmijët, përfiton nga gabimet e prindit, përfiton e mëson se në botë ka edhe njerëz të tjerë, me të cilët lidhet e krijon marëdhënie e nga të cilët mund të përfitojë apo ta psojë. Në këtë rast në pamje të parë autoriteti i prindit e vlera e tij fillon e bie. A nuk e keni dëgjuar ju shprehjen e disa prindërve të dëshpëruar: “Unë ja kam ba koken, e ai kështu e ashtu.”

Në kohën e sotme kur lidhjet e brezit të ri me rrethin rriten shumë, autoriteti i prindit fillon e zbehet që heret, madje mjaft gjëra që në të kaluarën ishin si të shenjta, në sytë e të rinjëve fillon e bijnë për nga vlera. Kjo ngjet jo vetëm me prindët por edhe me mësuesit e me të rriturit e tjerë. Krahasoni këto faktorë edukimi në raport me informacionin kulturor. Fëmija lexon, fëmija është në televizor, shumë prej tyre dalin e shohin jashtë, fëmija dëgjon muzikë, shkon në stadium, merret me sport. Në këto raste ai ka një informacion të përafërt me mësuesin apo me prindin, s’po themi më të madh. A nuk bije vlera e mësuesit apo e prindit para fëmijëve apo të rinjëve, kur ai jo me argumenta, por me urdhëra do t’ua mbush mendjen fëmijëve? E në këto raste nxënësit e shkollave kënaqen duke gjuajtur gafat e mësuesve.


A mund të ketë autoritet çdo prind?

Po çdo prind mund dhe duhet të ketë autoritet te fëmijët. Është tjetër gjë që disa prej tyre, nga gabimet dhe të metat, shpesh herë edhe në emër të dashurisë e të kujdesit për fëmijët fillojnë dhe e humbasin vlerën dhe autoritetin para fëmijëve. Fëmijët nuk u binden, i kundërshtojnë madje vjen një kohë që nuk i zbatojnë urdhërat dhe porositë e tyre.

Autoriteti mund të organizohet në çdo familje, madje kjo nuk është një punë e vështirë. Për fat të keq disa prind e organizojnë këtë autoritet mbi baza të gabuara. Ata synojnë që fëmijët e tyre t’i dëgjojnë, t’u binden. Ata në këtë mënyrë kujtojnë se kanë autoritet, duke mos e vlerësuar këtë me shkallën e ndërgjegjes së fëmijëve.

Autoriteti dhe ndigjesa apo bindja nuk janë qëllim me vete. Qëllimi i të gjitha mjeteve të edukimit dhe i faktorëve të tij është edukimi i drejtë i fëmijëve. Bindja dhe ndigjesa e fëmijëve mund të jetë vetëm një rrugë drejt këtij qëllimi. Pikërisht ata prindër që nuk mendojnë për qëllimet e vërteta të edukimit, synojnë të kenë fëmijë të bindur e të ndigjueshëm sa për formë. Kur fëmijët janë të bindur, prindërit janë të qetë. Pikërisht kjo qetësi është qëllimi i tyre i vërtetë. Por as qetësia as bindja nuk ruhen gjatë. Vjen një ditë dhe fëmijët nuk janë më të bindur. Po disa prind edhe mund ta ruajnë bindjen tek fëmijët për një kohë të gjatë, por për fat të keq këto fëmijë janë të shtypur, binden e heshtin, dëgjojnë e zbatojnë. Shkurt kapen për hunde, janë qullashë, pa personalitet, të larguar e të frikshëm ndaj shokëve. Shpejt bëhen tinzarë e hileqarë. Tek ata kultivohen disa vese shumë të dobëta, që është shumë vështirë t’u hiqen, ata u janë bërë natyrë e dytë e tyre.


Po cilin duhet të dëgjojë fëmija?

Fëmijët duhet të dëgjojnë në radhë të parë urdhërat e Zotit, prindin dhe edukatorët e vet, e këtu hyjnë edhe mësuesët dhe kushdo tjetër që ka marrë përsipër edukimin e tyre, duhet të dëgjojë ndërgjegjen dhe pikpamjen e vet të arësyeshme.

Ndigjesa dhe bindja është e lehtë kur të gjithë urdhërojnë për një punë, një drejtm, por është e vështirë kur njëri urdhëron e tjetri ndalon. Në mjaft familje baba urdhëron e dënon, ndërsa nëna hatron e lëshon (këtu më shumë përzihen gjyshat). Kjo ngjet edhe me shkollën, ata që e ndreq shkolla ditën, e prish familja natën, e aq më keq është kur shkollla apo familja vepron në kundërshtim me urdhërat e fesë. Po e theksoj këtë se për 50 vjet rresht shkolla, edhe shumë prindër vepruan kundër porosive fetare. Sot gjurmët e kësaj mrapshtie nuk janë të vogla, janë shumë të fuqishme. Së paku në fushën e moralit. Besoj se të gjithë e kuptoni se sa të vështirë e ka fëmija që është i detyruar t’i vëjë këmbën ndërgjegjes së vet, e të veprojë si e kanë urdhëruar prindërit. A është bindje dhe ndigjesë kjo? Fëmija ka pasë një punë në shtëpi e në shkollë thotë se ka qenë i sëmurë, kështu e ka urdhëruar i ati. Ky baba nesër nuk duhet çuditur nëse fëmija si pa të keq do ta gënjejë. Vetë e ka stërvitur. Nëse fëmija a me të mirë,ose me të keq, për hatër të prindit apo për frikë të tij arrin ta mund veten, të ndrydh kundërshtitë që mund të ketë e t’i shtrohet urdhërit apo t’i bindet prindit kurr nuk ka për të arritë të jetë i zoti të sundojë veten e t’i rregullojë punët e veta në bazë të arsyes dhe ndërgjegjes së vet, si gjithnjë do të kapet për hundësh nga të tjerët.

Në familje mund të vendoset një farë autoriteti, mund të sigurohet bindja e ndigjesa e fëmijëve, por shpesh në rrugë të gabuar.


Autoriteti i shtypjes, i ndrydhjes së ndërgjegjes së fëmijëve

Fëmijët vërtetë binden por nga frika, qëndrojnë larg prindit të tmerrshëm që s’e ka për gjë të japë dënime të ashpra, rriten të tremur e të frikshëm ndaj çdo lloj autoriteti, janë të nënshtruar, hileqarë, të squllët, kokëfortë, madje edhe të trashë, por më e keqja tek këto fëmijë rritet ndjenja e egërsisë, prej tyre në momente të caktuara lindin figura të shëmtuara krimi. Babai apo nëna e egër në vend të një krijese të butë jo rallë rrit një egërsirë që i qet kthetrat sa po të gjejë një krijesë më të dobët se veten.

E kundërta e kësaj është ideja që duhet të përpiqemi sa të mundemi të trajtojmë ndigjesën e fëmijës duke synuar nënshtrimin e vullnetshëm. Fëmija ka përbrenda zekthin e lirisë vetiake, atij thellë në ndërgjegje i gufon kjo ndjenjë lirie krenare. E nëse fëmijës i jep urdhëra pa arsye, por e detyron, tek ai do të ngrihet edhe ndërgjegja e ndjenja e lirisë, si të themi edhe ai përgatitet për kundërshtim, për sulm. Prindit nuk duhet t’i dhimet fjala e embël, në vend që t’i thotë “Bane” mund t’i thotë se “Unë e di se ti nuk priton e ke me e ba”.

Pedantizmi i prindit, shpesh merret si një mjet për të vendosë autoritet. Janë prindër të rregullt, shumë të rregullt e pikërisht kërkesat e tyre të tepruara bëjnë që të kërcejë kandari. Ata me rregullin e tepruar, me urdhërat e kërkesat e tyre pa lëshime, duke mos e njohur shprehjen “Tërhiq e mos këput” në edukatë, bëhen pedantë dhe ua nxijnë jetën fëmijve, besa edhe vetes, sepse në çdo lëvizje, në çdo veprim shohin një shkelje, shohin një gabim e kështu marrin shkas të japin leksione morali të pafundme e të qëndrojnë si mushka ne veten.

Autoriteti i distancës, fort i njohur në vendin tonë, parimi bazë i të cilit është që prindi duhet të rrijë sa më larg fëmijëve. Në këto familje ka patur rregulla e zakone lidhur me këtë autoritet.

Autoriteti i dashurisë, i përkëdhelive, shprehja më e zakonshme është “Ti s’e dashke nanën”.

Autoriteti i sakrificës që shprehet në plotësimin e çdo kërkese të fëmijëve. Ky është autoritet i blerë me peshqeshe e para. Është krejt pa vlerë, po është shumë i përhapur. Në emër të dashurisë plotësohen më tepër se duhet nevojat e fëmijës.


Disa këshilla për të kultivuar bindjen e ndigjesën te fëmija.

  1. Nxite e kultivoje atë dëshirë që ka më për zemër fëmija. Fëmija është i varur te prindi, ka nevojë për të si bima që duhet mbështetë diku, prindi duhet të marrë mundimin e të përkulet për ta ndihmuar, por të mos bahet më fëmijë se fëmija.

  2. T’i mbushet mendja fëmijës se prindi nuk lyp tashti një punë e nesër një tjetër. Po e kuptoi ai se mësuesi e prindi apo dikush tjetër vepron drejtë e mbarë, edhe fëmija do të bindet e do të dëgjojë sepse e kupton se çdo gjë bëhet për të mirë të tij.

  3. Deftoje veten shembull ndigjese para fëmijëve. (Mjaft t’u duket ndigjesa e lehtë, se njerëzit dëgjojnë me andje).

  4. Mos e le fëmijën ta çojë në vend damarin e vet, (kapriçon). Ka fëmijë kryeneç, me teka e të llastuem. Urdhëri e ndëshkimi vlejnë.

  5. Për çdo punë të vogël apo shkelje, mos kujto se po të ulet autoriteti, se po humbet ai.

  6. Me fëmijët të jesh i drejtë, i njerzishëm, i ëmbël. Sillu me to pa u shtirë.

 
Autori i këtij shkrimi është me profesion mesues, ka punuar në të gjitha hallkat e arsimit në Shqipëri, si mësues dhe drejtues arsimi. Për një kohë të gjatë ka punuar në katedrën e Pedagogjisë së Universitetit të Shkodrës. Për disa vite mbas daljes në pension ka qenë drejtor i Medresese „Haxhi Sheh Shamia“ të Shkodrës. Tani është pensionist dhe banon në Itali. Ka shkruar shumë studime dhe libra për probleme të didaktikes, të didaktikës së gjuhës në veçanti, për pedagogjinë, tekste mësimore dhe libra ndihmës për të gjitha kategoritë e shkollave, libra për personalitete të kulturës islame në Shqipëri dhe në Shkodër, si për H. Sabri Korçin, për Daut Boriçin, për Sheuqet Muken, librin „Në kujtim të brezave“ për 40 dijetarë dhe hoxhallarë të Shkodrës, librin „Mevludet në gjuhën shqipe“ ku janë përmbledhë 20 mevludet e shkruara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Turqi, Amerikë, Kanada etj., „Hafiz Ali Ulqinaku, jeta dhe veprat“, e mjaft libra tjerë. Ky shkrim është fragment nga libri i tij për edukatën familjare.